EditorialKryesore

Ultimatumi serb – Për kë po bien këmbanat?

Ultimatumi i Vuçiqit ndaj Kosovës është një përshkallëzim i rrezikshëm që kërcënon paqen dhe stabilitetin e rajonit. Kjo situatë kërkon një përgjigje të shpejtë dhe të balancuar nga diplomacia ndërkombëtare për të shmangur një konflikt më të madh. Por, ky ultimatum kërkon, para së gjithash, përgjigjen e duhur të shqiptarëve si Komb.

Nga Sadri Ramabaja

Presidenti Aleksandar Vuçiq, pas takimeve të ndara me Miroslav Lajçak dhe Kristofer Hil, ka njoftuar se në 72 orët e ardhshme do t’i drejtohet publikut lidhur me atë që kërkon Serbia për shkak të sulmit brutal ndaj popullatës serbe, kryesisht në veri të Kosovës.
“Në 72 orët e ardhshme do të publikoj kërkesat tona për sulmin brutal ndaj serbëve në Kosovë”, i bie Vuçiqi tamtameve të luftës, duke mos u pajtuar asesi me demolimin total të institucioneve të Serbisë që vepronin deri tashti në veriun e Republikës së Kosovës. Më tej ai pretendon që për gjoja krizën e krijuar në veriun e Kosovës ta fajsojë edhe bashkësinë ndërkombëtare, respektivisht Perendimin për gjoja mosveprimin e saj!
Një stil komunikimi e sjellje krejtësisht e ngjashme me atë të Putinit në prag të ndërhyrjes ruse në Ukrainë.

Ky është ultimatumi që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e bën fare publik ndaj Kosovës. Kërcnimi serb vije në një situatë kaq të tensionuar, duke ngritur pikëpyetje serioze për stabilitetin në rajon dhe për implikimet më të gjera gjeopolitike. Këmbanat që bien në këtë rast janë për disa aktorë kyç. Përshkallëzimi i një konflikti potencial mund të ketë pasoja të gjera.

Kërcënimi ndaj Kosovës është një sinjal i qartë për krye inistrin Albin Kurti dhe për institucionet e Kosovës. Vuçiq po përpiqet të ushtrojë presion të drejtpërdrejtë për të fituar lëshime politike apo territoriale, veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës dhe statusin e serbëve në atë rajon. Mesazhi është i qartë: Serbia nuk do të pranojë asnjë akt të qeverisë kosovare që shtrin sovranitetin në veriun e Republikës dhe ajo tashmë është e gatshme të veprojë.

Këmbanat po bien gjithashtu për Bashkimin Evropian, i cili ka ndjekur një qasje dialogu midis Serbisë dhe Kosovës për më shumë se një dekadë. Ky ultimatum është një test i madh për BE-në, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e dialogut dhe të diplomacisë së saj në Ballkanin Perëndimor. Nëse BE-ja nuk arrin të ndërhyjë dhe të menaxhojë situatën, pozicioni i saj si një ndërmjetës i besueshëm mund të dobësohet tutje, ndërkaq Serbia mund të gjykojë se tashmë është krijuar momentumi politik për të ndërmarrë hapa më agresivë.

Lexo më shumë  Sinani: Organi më i lartë i drejtësisë në Serbi po legjitimon spastrimin etnik dhe pasivizimin diskrimues të shqiptarëve të Luginës

SHBA-ja, një aleat i fuqishëm i Kosovës, është një tjetër aktor që po dëgjon këmbanat e tensionit. Washingtoni është përfshirë aktivisht në mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës që nga ndërhyrja e NATO-s në 1999 dhe njohja e pavarësisë së saj e shpallur më 17 shkurt 2008. Ultimatumi i Vuçiqit është një sfidë e drejtpërdrejtë edhe ndaj SHBA-ve dhe politikës së saj në rajon. Nëse situata përshkallëzohet, mund të kërkohet një ndërhyrje më e drejtpërdrejtë amerikane për të mbrojtur Kosovën dhe për të ndaluar konfliktin e hapur dhe përhapjen e flakëve të luftës në rajon.

Diplomacia perendimore e ka të qartë se përshkallëzimi i tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përkon me interesat e Rusisë dhe Kinës, të cilat kanë marrëdhënie të ngushta me Serbinë. Rusia në veçanti ka mbështetur vazhdimisht qëndrimin serb në lidhje me çështjen e Kosovës dhe mund të përdorë këtë krizë për të rritur ndikimin e saj në Ballkan, duke destabilizuar më tej Evropën. Po ashtu, Kina ka interes ekonomik dhe strategjik në rajon dhe mund të shohë këtë krizë si një mundësi për të zgjeruar ndikimin e saj përmes Serbisë.

Këmbanat po bien për të gjithë rajonin e Ballkanit. Historia e fundit e Ballkanit është e mbushur me konflikte etnike dhe luftëra shkatërrimtare, dhe një përshkallëzim i tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mund të përfshijë edhe vende të tjera në rajon. Është krejtësisht e paimagjinueshme mundësia e lokalizimit të flakëve të luftës. Përkundrazi, ajo fare lehtë do ët përfshijë Maqedonin e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën, ku ekzistojnë ndarje të brishta etnike dhe politike. Përfundimisht, këmbanat bien për popujt e Serbisë dhe Kosovës, të cilët do të jenë të parët që do të ndjejnë pasojat e ndonjë përshkallëzimi të konfliktit. Një konflikt i hapur mund të shkaktojë destabilizim, humbje të jetëve, kriza humanitare dhe pasoja afatgjata për zhvillimin ekonomik dhe social të dy vendeve. Por, gjasat reale janë që përqëndrimi do të jetë pikërisht në zonën e Sanxhakut, si pika më neoralgjike ku puçen interesat e Serbisë, Bosnjës, Malit të Zi dhe Kosovës [pra shqiptarëve].

***

Ultimatumi i Vuçiqit ndaj Kosovës është një përshkallëzim i rrezikshëm që kërcënon paqen dhe stabilitetin e rajonit. Kjo situatë kërkon një përgjigje të shpejtë dhe të balancuar nga diplomacia ndërkombëtare për të shmangur një konflikt më të madh. Por gjithësesi edhe një rikëndellje të skenës politike shqiptare në tërësi.

Projektet, idetë, platformat politike në vetëvete mbesin ide, koncepte të mira, nëse nuk shoqërohen me krijimin e një strukture të fuqishme që posedon qasje strategjike të mirëfilltë për komunikim me qytetarë.

Lexo më shumë  VOA: Shtohen rastet e përdorimit të dhunës mes të miturve në Shqipëri

Që nga epoka e Rilindjes, me platformën e famshme të Sami Frashërit që shërbeu si projekti i parë i karakterit kombëtar, idetë dhe konceptet politike për bashkim nuk na kanë munguar.

Ajo që i ka munguar këtij brezi dhe atij para nesh, ishte një platformë politike që do të bënte të qartë se si do të mund të realizohej ideja për bashkim dhe ç’strukturë politike do ta vinte në jetë këtë koncept.

Aleksander Vuçiqit, kërcnon publikisht se brenda 72 orëve do të bëjë publike masat që do të marrë Serbia për gjoja mbrojtjen e serbëve etnik në Kosovë, duke mos përjashtuar as marshin e ushtrisë!

Përgjigjia e menjëhershme që i erdhi nga Prishitna ishte e duhur. Në mbledhjen e radhës të Qeverisë u bë publik aprovimi i Programit për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse.
Kaq mund të bëjë Kosova në këtë moment.
Ky akt i qeverisë së Kosovës duhet të pasohet me akte tjera gjithëpërfshirëse, por në nivel kombëtar. Përgjegjia më e mirë dhe më e duhura, urgjente [që kërkohet të jetë fare eksplicite], që na duhet në këtë momentum historik, është tumirja e konceptit politik për Federatën Shqiptare dhe atë pikërisht në Tiranë. Ky akt politik duhet të pasohet urgjentisht me aktin juridik0-kushtetues të unifikimit të Sistemit të Mbrojtjes të që të dy republikave tona, si një qasje strategjike urgjente dhe e domosdoshme.

Vonesat dhe çfardo zvarritjesh e pengesash që i bëhen këtij akti, do të kenë koston e vet politike, morale e historike, gjithësesi me rrjedhoja përmbajtësore për gjeografinë shqiptare dhe jo vetëm.

Ultimatumin e Vuçiqit ndaj Kosovës duhet lexuar e kuptuar qartë – si një përshkallëzim i rrezikshëm, që kërcënon paqen dhe stabilitetin e rajonit. Kjo situatë kërkon një përgjigje të shpejtë dhe të balancuar nga diplomacia ndërkombëtare për të shmangur një konflikt më të madh.
Por ky ultimatum, kërkon para së gjithash, përgjigjen e duhur të shqiptarëve si Komb.

Rruga Press

YouTube player