Kryeministri Kurti për aktakuzën e ngritur në rastin Banjska: “Më mirë vonë se kurrë”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj 45 të dyshuarit për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë. Kurti tha se ngritja e kësaj aktakuzës ka mundur të bëhet më herët, teksa shtoi se “më mirë vonë se kurrë”.
Kreu i ekzekutivit insiston që fillimisht duhet të dorëzohet kryekrimineli serb, Milan Radojiçiq, pasi akti është kryer në Republikën e Kosovës.
“Unë nuk e kam parë aktakuzën, jam i bindur që ka mundur të ngritët shumë më herët dhe sot të ndodhemi në një situatë të re. Natyrisht siç thotë populli më ‘mirë vonë se kurrë’, por megjithatë atë duhet ta shohim përmbajtën e saj në mënyrë qe të mund të flasim për të. Ajo që ne insistojmë vazhdimisht ku do që ndodhemi, e para është dorëzimi i Milan Radojiçiqit autoriteteve të Kosovës sepse krimin e ka kryer në Kosovë. Banjska është në Zveçan të Kosovës”, u shpreh Kurti
“Së dyti duhet ta tërheqin atë letrën e ish-kryeministres Brnabiq më të cilën ajo ka hequr dorë nga zotimi i Serbisë prej marrëveshje bazike dhe marrëveshje së zbatimit, duke thënë se nuk e pranon pavarësinë, nuk e respekton integritetin territorial dhe nuk do ta pranojë ulësen e Kosovës në OKB, dhe së treti duhet qe të nënshkruhet marrëveshja bazike në mënyrë që të tregohet mirëbesimi si një garanci edhe juridike për zbatimin e marrëveshjes. Një marrëveshje e pa nënshkruar po shihet se është marrëveshje shumë kollaj për tu mos u respektuar e për të mos u zbatuar”, deklaroi Kurti.
Rruga Press