Projekti i banimit të përballueshëm, ministria marrëveshje me katër komuna. Ministri Aliu: Shumë shpejt e hapim thirrjen e dytë
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovës, Liburn Aliu, ka bërë të ditur se deri tani i kanë nënshkuar katër marrëveshje me katër komuna të vendit për banimin e përballueshëm social.
Në një postim në Facebook, ai ka shtuar se komunat në fjalë janë ajo e Gjilanit, Podujevës, Pejës dhe Kamenicës.
“Në shkurt të këtij viti hapëm thirrjen për aplikim për gjithë komunat e Republikës së Kosovës për banimin e përballueshëm social. Dje dhe sot kemi nënshkruar tashmë marrëveshjet me 4 komuna për të nisur këtë projekt, ndërkaq edhe 13 komuna të tjera janë në proces të nënshkrimit”.
“Deri tani kemi nënshkruar me Komunën e Gjilanit, Podujevës, Pejës e Kamenicës. Po ashtu, për komunat që nuk kanë aplikuar shumë shpejt do të hapim edhe thirrjen e dytë. Hap pas hapi drejt realizimit të edhe një prej zotimeve tona”, ka thënë Aliu.
Gjatë ditës së sotme u raportua se Kryetari i Komunës, së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, e cila i hap rrugë realizimit të projektit të banimit të përballueshëm.
Sipas një njoftimi nga komuna e Podujevës, ky projekt synon përmirësimin e kushteve të banimit për familjet dhe individët që nuk janë në gjendje ekonomike të mirë.
“Bazuar në këtë marrëveshje, realizimi i projektit për ndërtimin e njësive të banimit në Komunë, synon të përmirësojë kushtet e banimit për grupet e synuara sipas Programeve të veçanta të banimit për familjet ose individët të cilët nuk janë në gjendje ekonomike t’i përballojnë ofertat e tregut të lirë të banesave dhe kanë nevojë për ndihmën e shtetit”, thuhet në njoftim.
Më tutje në njoftim thuhet se përfituesit do të përcaktohen sipas dispozitave ligjore që janë fuqi.
“Përfituesit do të përcaktohen sipas kritereve të përcaktuara në dispozitat ligjore në fuqi për banimin e përballueshëm dhe social”, thuhet në njoftim.
E po sot u raportua gjithashtu se edhe Komuna e Gjilanit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për banim të përballueshëm.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se banimi i përballueshëm po jetësohet, duke filluar me Gjilanin.
“Sot, bashkë me ministrin e MPHI-së, Liburn Aliu, kemi finalizuar marrëveshjen për banimin e përballueshëm”, tha ai.
Hyseni më tej theksoi se Qeveria e Kosovës, u ka ofruar mundësinë të gjitha komunave të Kosovës, duke kërkuar prej tyre vetëm parcelat.
Rruga Press