KryesoreLajme

Osmani takon shefin e ri të Zyrës së BE-së: Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për statusin e vendit kandidat

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Presidentja i uroi mirëseardhje dhe sukses ambasadorit Orav përgjatë mandatit të tij, gjersa ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të reformave në të gjitha fushat, duke harmonizuar legjislacionin e saj me atë të BE-së, si dhe duke qenë plotësisht e bashkërenduar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Lexo më shumë  Sipas logjikës së krerëve të opozitës, kur populli voton për ta, ajo quhet “vullnet demokratik”, por kur populli voton për Albin Kurtin, atëherë qenka “rrezik për demokracinë”

Tutje, Presidentja theksoi se Kosova ka mbushur të gjitha kushtet për ta fituar statusin e vendit kandidat të BE-së.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë sigurinë, si dhe bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian me qëllim të përmbushjes së objektivave të përbashkëta.

Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka përsëritur rëndësinë e madhe të trajtimit të shteteve aspiruese bazuar në merita dhe në përqafimin e vlerave që qëndrojnë në themelet e BE-së.

Lexo më shumë  Kurti: Mbi 30 milionë euro investime për 14 parqe industriale në Kosovë
YouTube player