KryesoreLajme

Vendosen tabelat e Kosovës në ish-komunat paralele, KFOR-i përfundon stërvitjet mbi Urën e Ibrit

Derisa para dy ditësh Policia e Kosovës mbylli objektet ku operonin institucionet e Serbisë në veri të vendit, të dielën në njërën prej tyre u vendos një tabelë institucionale e Kosovës.

Në objektin e ish-komunës paralele të Mitrovicës, në afërsi të Stacionit të Autobusëve, në Mitrovicën e Veriut, është vendosur shenja e Departamentit për Patentë Shoferë në kuadër të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Zv.Drejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se edhe tek ndërtesat e tjera ka prezencë policore.

Dy ndërtesat në Mitrovicën e Veriut, një në Zveçan dhe një në Leposaviq është duke i siguruar Policia e Kosovës.

Shenjat e Kosovës u vendosën edhe në komunën më veriore të Kosovës.

Në Leposaviq, te ish-komuna paralele, tash ka tregues që atje pritet të përdoren zyrat nga Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. 

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Pos në objektet e strukturave paralele komunale, tabela shtetërore janë vendosur edhe në ish objektin e zyrës për Kosovën. 

Pasi policia intervenoi në këto ndërtesa duke konfiskuar edhe dokumente nën dyshime për vepra penale si falsifikimi, në Urën kryesore të Mitrovicës u shtua prezenca e KFOR-it.

Edhe të dielën është parë prezencë e rritur e pjesëtarëve të KFOR-it italian dhe atij çek që krahas Urës i vëzhgojnë edhe zhvillimet e tjera të sigurisë në veri.

E ushtrimin që kishin nisur një ditë më parë pjesëtarët e KFOR-t e kanë përmbyllur të dielën duke e detyruar policinë të tërhiqet më në jug të Urës.

Pavarësisht aksioneve të fundit nga institucionet e Kosovës, situata ka qenë e qetë në komunat veriore.

Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se Ura mund të hapet dhe se nuk ka asnjë sinjal për përshkallëzim të situatës.

“Nuk ka asnjë  rrezik për një eskalim të situatës, por duhet që liderët të mos marrin vendim të njëanshëm, por çdoherë në bashkëpunim edhe me partnerë strategjik në raport me SHBA-në për të cilët u dha vërejtja se do të shkoni në përmes takimeve të Brukselit, si marrëveshje e Brukselit e cila në vitin 2017 ka pasur një formë me planin e veprimit por mendoj që edhe këto nuk do të sjellin rezultate por gjithsesi, lidershipi jonë  duhet të  zbatojë  këto sugjerime apo udhëzime të partnerëve tanë ngase vendimet e një anshme mund të  sjellin situatën, për shkak të tensioneve rajonale që  mjafton diku të shkrepë..”, ka deklaruar ai.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Krahas Bashkimit Evropian edhe vendet e QUINT-it dhe KFOR-i e kanë kundërshtuar aksionin e policisë për mbylljen e komunave paralele, duke thënë se ky veprim është bërë pa koordinim me ta.

BE-ja ka deklaruar se ky veprim i institucioneve të Kosovës shkon në drejtim të kundërt me zotimet për shtensionim.  

Rruga Press

YouTube player