KryesoreLajme

Aksioni policor në veri, ministri Krasniqi: U mbyllën pesë institucione paralele

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka reaguar pas operacionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi sqaroi se bëhet fjalë për mbylljen e disa institucioneve paralele që ishin me direktiva të Serbisë.

“Sot, pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Lexo më shumë  FSK e gatshme për garën “Cambrian Patrol 2024”

Krasniqi tha se komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut, Komuna paralele e Leposaviqit.

Këto 5 sot i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.

Krasniqi është zotuar se institucionet e Kosovës do t’iu ofrojnë shërbime të gjithë qytetarëve pa dallime përfshirë edhe atyre serb.

“Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë”.

Lexo më shumë  Ministrja Haxhiu pret në takim homologun nga Malta, diskutojnë për fushën e drejtësisë

“Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës”.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal ka deklaruar tutje se nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës së Kosovës.

YouTube player