Kryeministri Kurti: Kanë nisur përgatitjet për gërmim në Kozhle të Serbisë në kërkim të personave të zhdukur me dhunë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur të enjten se kanë filluar përgatitjet për gërmime në lokacionin Kozhle në Serbi, në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ai i ka bërë këto deklarata në një debat të dedikuar për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë.
Duke folur për përgatitjet për gërmim në Kozhle, ai ka thënë se shpreson që kjo ”nuk është një përpjekje e re nga shteti serb për të evituar nga agjenda e gërmimeve lokacionet e tjera të shënjuara nëpër Serbi”.
“Nuk ka kufomë, nuk ka krim, ishte strategjia e Serbisë për fshehjen e krimeve të kryera mbi shqiptarët në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politikë të [ish-liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit në Beograd”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë thirrje edhe një herë që Serbia t’i hapë arkivat shtetërore.
Kurti ka thënë se Kosova ka bërë kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave, “përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, sidomos në Drenicë”.
Ai ka përmendur se Serbia obligohet për hapje të arkivave edhe përmes një marrëveshjeje të arritur për këtë çështje, më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel.
Zotimet e bëra mes Kosovës dhe Serbisë në Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.
Kurti ka thënë se Qeveria është e përkushtuar për trajtim të secilës informatë që kontribuon në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur.
Sipas tij, tashmë janë adresuar 13 lokacione brenda territorit të Kosovës “në kuptim të gërmimit vlerësues”.
“Familjet e të zhdukurve i kemi lart edhe mes prioriteteve e në përkujdesje të Qeverisë”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në Kosovë vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe 1.612 pesona, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Dita e të Pagjeturve në Kosovë shënohet më 27 prill, ndërsa më 30 gusht shënohet Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë.
Rruga Press