Bota

Zbulohet faktori ‘kyç’ në inkursionin e Ukrainës brenda Rusisë

Informacionet e shkëlqyera të zbulimit ukrainas dhe armatimi amerikan po vlerësohen si elemente kyçe që mundësuan avancimin e shpejtë të forcave ukrainase në territorin rus gjatë javës së fundit. Disa analistë besojnë se ato mund të përparojnë edhe më shpejt, nëse Uashingtoni u lejon atyre të përdorin armët më të sofistikuara që i kanë në dispozicion.

Forcat ukrainase vazhduan të avancojnë në rajonin e Kurskut të mërkurën, në ditën e nëntë të depërtimit të parë në brendësi të Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Forcat ukrainase tani kontrollojnë një territor prej rreth 100 kilometrash katrorë dhe mbi 70 vendbanime brenda Rusisë.

“Njësitet e forcave mbrojtëse po vazhdojnë ofensivën në territorin e rajonit të Kurskut,” komandanti i ushtrisë ukrainase, gjenerali Oleksandr Syrskyi i tha të mërkurën Presidentit Volodymyr Zelensky gjatë një konference virtuale. “Që nga mëngjesi, forcat ukrainase kanë avancuar 1 deri në 2 kilometra”.

Ish zëdhënësi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, Vladislav Seleznyov, i tha Zërit të Amerikës se informacionet nga organet ukrainase të zbulimit dhe sistemet raketore të artilerisë të siguruara nga Shtetet e Bashkuara, të njohura me shkurtesën HIMARS, ishin të një rëndësie kritike për këtë avancim të jashtëzakonshëm.

“Organet ukrainase të zbulimit funksionuan me përsosmëri,” tha ai. “Disa nga përforcimet e armikut, që u dërguan me shpejtësi për t’i ardhur në ndihmë ushtrisë ruse në rajonin e Kurskut, u shkatërruan falë artilerisë dhe dronëve. Ndoshta edhe aeroplanëve”.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

“Dhe natyrisht, goditja e vërtetë ndaj ushtrisë ruse u bë nga sistemet raketore HIMARS, të cilat shkatërruan një sasi të madhe të armëve, pajisjeve dhe ushtarëve rusë”, tha ai.

Por, ritmi me të cilin po avancon ushtria ukrainase është ngadalësuar gjatë ditëve të fundit – më shumë për shkak të çështjeve që kanë të bëjnë me furnizimin e forcave ukrainase, se sa rezistencës së forcave ruse.

Sipas disa ekspertëve, mënyra më e mirë për ta tejkaluar këtë pengesë është që Ukrainës t’i lejohet më shumë autonomi për përdorimin e armëve me rreze të gjatë të siguruara nga Perëndimi – në veçanti të sistemit raketor taktik MGM-140, i njohur me shkurtesën ATACMS, i cili përdor raketa me rreze të gjatë veprimi deri në 300 kilometra.

“Mendoj që Uashingtoni është problemi kryesor në këtë drejtim,” tha zëvendës-drejtori i Programit rus pranë Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, John Hardie.

“Po të lejonin Shtetet e Bashkuara përdorimin e sistemit ATACMS në territorin rus, britanikët dhe francezët do të lejonin përdorimin e raketave me vetë-drejtim, që i kanë dhënë Ukrainës”, tha Hardie.

Por me gjithë suksesin e forcave ukrainase në rajonin rus të Kurskut, Rusia po vazhdon ofensivën e saj përgjatë vijës së frontit në pjesën lindore të Ukrainës. Forcat e saj po i afrohen qyteteve Pokrovsk dhe Toretsk.

Megjithatë, sipas analistes dhe profesoreshës, Angela Stent pranë Institutit ‘Brookings’ dhe Universitetit Georgetown, ky veprim i Ukrainës në Kursk nuk duhet të shihet si “akt i nxitur nga dëshpërimi”.

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

“Mendoj se ukrainasit po përpiqen t’u japin rusëve një dozë të ilaçit të tyre: të shkaktojnë pasiguri në Rusi dhe ndoshta të vënë në dyshim aftësitë e ushtrisë ruse”, i tha ajo Zërit të Amerikës dhe shtoi se “ata e përmbushën këtë synim”.

Krahas detyrimit për të mbrojtur territorin rus për herë të parë pas shumë dekadash, Presidenti rus, Vladimir Putin – i cili që nga fillimi ka këmbëngulur që ta quajë sulmin e shkallës së gjërë ndaj Ukrainës “një operacion të veçantë ushtarak” – ende heziton ta pranojë se e ka futur shtetin e tij në luftë.

Që nga java e kaluar, ai e ka cilësuar ofensivën ukrainase si “provokim të shkallës së lartë” dhe të martën njoftoi për fillimin e një “operacioni kundër-terrorist” për t’iu përgjigjur.

Sipas analistit politik rus, Ivan Preobrazhensky, Putin po i zgjedh me kujdes fjalët për të mos tërhequr vëmendje tek dështimi për të mbrojtur kufijtë e vendit.

Ndërkohë, sipas njoftimeve, forcat ruse po përforcojnë mbrojtjen në ato pjesë të rajonit të Kurskut, që i kanë ende nën kontroll – përfshirë zonat përreth fshatit Viktorovka, rreth 45 kilometra nga kufiri i Rusisë me Ukrainën – ndërsa zyrtarët në Kiev po diskutojnë për krijimin e një zyre të komandës ushtarake në territorin rus që tani është i pushtuar nga trupat ukrainase.

YouTube player