Bota

Rusët po ikin me shpejtësi avancimit ukrainas në Kursk

Tetë ditë pas nisjes së inkursionit – më të madhit në territorin rus prej Luftës së Dytë Botërore – forcat ushtarake të Ukrainës po vazhdojnë të zgjerojnë operacionet e tyre në rajonin jugperëndimor të Kurskut, i cili shtrihet më shumë se 150 kilometra në kufi me Ukrainën.

Gati 1.000 kilometra katrorë të tokës ruse besohet se kanë qenë nën kontrollin e ushtrisë ukrainase deri më 14 gusht, ndërsa ushtria dhe forcat ruse është raportuar se nuk kanë arritur t’i zmbrapsin avancimet e ukrainasve.

Autoritetet civile është raportuar të kenë pasur vështirësi në menaxhim të personave të evakuuar, apo të atyre që kanë ikur prej shtëpive të tyre. Rreth 120.000 njerëz është thënë se kanë ikur si pasojë e avancimeve ukrainase, shumë prej tyre kanë përfunduar në qendrën administrative rajonale të Kurskut.

Rajoni i Kurskut i ka pasur rreth 440.000 njerëz para luftës. Një pjesë e madhe e tyre janë të zemëruar se si zyrtarët – përfshirë edhe presidentin rus, Vladimir Putin – e kanë menaxhuar krizën.

Në një qendër për shpërndaje ndihmash në Kursk, më 9 gusht, disa grupe njerëzish – shumë prej tyre të evakuuar – janë parë duke tentuar të marrin ndihmat e shpërndara prej vullnetarëve, derisa forcat e sigurisë kanë tentuar të mbajnë rendin.

“Kemi mbetur në zonë konflikti në momentin e fundit”, ka thënë një grua e identifikuar vetëm si Natasha, prej fshatit Korenevo.

Lexo më shumë  Në tubimin e mbajtur para parlamentit, opozita kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në Gjeorgji

“Burri im nuk ka dashur të largohet, ai vetëm thoshte, ‘Kjo është shtëpia ime, unë jam burrë, une do ta mbroj’. Kemi dëgjuar zhurmën e tankeve dhe kam dalë për t’i parë. Një sekondë më vonë, nuk më ka mbetur asgjë për të mbrojtur, një raketë apo dron e ka goditur shtëpinë”.

Natasha ka thënë se ajo dhe burri i saj kanë ikur me makinë e fqinjit prej Korenovos, vendbanim rreth 28 kilometra larg kufirit.

“Edhe qielli gumëzhinte, ne udhëtuam në shpejtësi të madhe. Mbylla sytë, u shtrëngova në mbajtëse dhe kështu erdhëm deri këtu”, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Ajo e ka përshëndetur një fqinje që ka ikur me të në makinën e njëjtë, dhe ka nisur të qajë.

“Të gjithë janë në hall”, ka thënë Natasha, e cila ka shprehur shqetësim pse nëpër media është duke u minimizuar kriza.

“I kam dy fëmijë, më janë dhënë tre jastëkë dhe nuk pati mjaftueshëm edhe për të”, ka thënë ajo, duke iu referuar fqinjës.

“Më pas, në mbrëmje, ajo e ka parë në televizion që gjithçka është në rregull këtu, që ne jemi mirë dhe që “po e vërejmë mbështetjen e gjithë shtetit dhe presidentit”.

“Mbështetja e shtetit është e mjaftueshme, neve nuk na duhet mbështetja e presidentit”, ka thënë Natasha për Putinin.

Lexo më shumë  Presidentja e Gjeorgjisë nuk njeh rezultatin zgjedhor, bën thirrje për protesta

Kur është pyetur të sqarojë më tepër deklaratën e vet, ajo ka thënë: “Kush është ai për ne? Shumë keq që e kemi kuptuar që nuk duhet votuar për të, vetëm pasi kanë nisur të shtënat drejt nesh”.

Jo shumë larg shihet edhe Misha, mekanik prej fshatit Boshoje Soldatskoje, 30 kilometra larg kufirit, i cili ka treguar që ditë më parë ka kërkuar ndihmë për t’u evakuuar, mirëpo ka hequr dorë pasi nuk ka marrë asnjë përgjigje, dhe kështu është strehuar në një pyll të afërt.

“E kuptova që nuk do të ketë evakuim për ne, ndoshta evakuim të kamionëve që tashmë janë shkatërruar”, ka thënë Misha, që nuk ka dashur të identifikohet me mbiemër.

Në pyll ai ka parë dronë mbi kokën e tij dhe është frikësuar që mund të goditet.

“Pati mina në pyll. Të gjelbra dhe ngjyrë kafe. Më është dashur të ec shumë ngadalë. Nëse ecni mbi ndonjërën mbeteni pa këmbë dhe duhet të zvarriteni”, ka treguar ai.

“Në ditën e parë shpresoja të gjeja diçka për të ngrënë, por nuk gjeta asgjë. Në ditën e dytë i thashë vetes – do të ha bretkosa, pati rënë shi dhe pati shumë prej tyre”.

Rruga Press

YouTube player