Opinion/Aktualitet

Raison d’etat dhe Ura e Ibrit: Kur diplomacia perendimore duhet të vendos mes “unitetit shpirtëror” dhe përparsive strategjike

Ura e Ibrit tashmë është shndërruar në një simbol që do të promovojë Kosovën si “një konflikt i ngrirë” ose Republikë sovrane. Bashkëjetesa paqësore me Serbinë duket e paarritshme. Intenca e Perednimit për ushtrimin e doktrinës gjermane — Ostpolitikës në raport me Serbinë, si dikur me Federatën Ruse, nuk ka dhënë fryetet e pritura.

Nga Sadri Ramabaja

Kapërcimi i postulatit themelor të Vestfalisë dhe “Koha e marrisë serbe”

Marrëveshja e Vestfalisë (1648) erdhi pas luftës 30 vjeçare në Europë (1618–1648). Fundi i saj ishte më shumë rezultat i pajtimit të palëve për njohjen e realitetit të krijuar, se sa produkt i pikëpamjeve morale.
Marrëveshja e Kumanovës (1999), që shënon kapitullimin e Serbisë, nuk është rezultat as i njohjes dhe pajtimit me realitetin e krijuar, por as shprehje e akordimit me rendin e ri që po imponohej. Serbia e kishte cilësuar atë si imponim i një armëpushimi dhe si të tillë e trajton edhe sot. Thirrja në modelin e Nagorni Karabahut dhe ndërhyrjen e Azerbajxhanit për rikthim të tij nën sovranitetin e tij të plotë, duke ripohuar “durimin serb” si strategji në emër të ndryyshimit të rrethanave gjeopolitike, e dëshmon se, de fakto, me Serbinë jemi tutje në gjendje lufte.
Rikthimi i sovranitetit të Republikës në veri, shih për këtë, sot shihet si gjasë e imponimit të realitetit të ri politik, po aq sa edhe mundësi për thyerjen e armëpushimit nga pala serbe.

Marrëveshja e Vestfalisë i gjente vend mirëkuptimit pragmatik për realitetin politik të krijuar në terren, duke sjellë kështu në jetë Sistemin politik që njihte Sovranitetin e Shtetit. Marrëveshja Bazike e Brukselit (24 shkurt 2024), bie ndesh njëkohësisht me mirëkuptimin pragmatik mbi realietin politik të krijuar më 17 Shkurt 2008, kur Kosova kishte shpallur pavarësinë dhe është njohur nga 117 shtete anëtarë të OKB-së, por edhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare (2010) mbi të drejtën e Kosovës për shpalljen e aktit të pavarësisë.

Shtetet e Europës që po i vinin themelet e një rendi të ri në Vestfali, nuk e kishin përfshirë si pjesë të atij rendi Rusinë, meqë, sipas Henry Kissinger-it [1], ajo ishte lënë në “Kohën e marrisë së saj” (rusisht “Smuta”), që shenjonte periudhën e turbulencave politike, urisë dhe intervenimeve të fuqive të jashtme (1598–1613) dhe meqë po bënte çmos që të vinte rend të brendshëm.

Pse trajtohet krejt ndryshe Serbia sot? Kjo pyetje nuk mund të trajtohet thjesht vetëm si retorike, sidomos jo pas marrëveshjes që arriti kancelari gjerman Olaf Sholc me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, së fundmi për shfrytëzimin e rezervave të mëdha të mineralit të çmuar të litiumit.
Më shumë se një marrëveshje ekonomike, rihapja e minierës sikur ka për qëllim të sinjalizonte Perednimin se Beogradi ka gadishmëri të marrë kthesën drejt Perëndimit, nëse Perednimi do të mirrte në konsideratë edhe objektivat strategjike serbe që taksativisht tashmë janë bërë publike në Platformën politike të Kuvendit Gjithëserb.

***

Marrëveshja e Vestfalisë kishte imponuar postulatin e reciprocitetit mes shteteve si të drejtë bazike në marrëdhëniet mes shteteve në sistemin e ri që po promovohej.

Marrëveshja e Brukselit nuk mund të rikthejë këto raporte para vitit 1684 vetëm për hir të vullnetit të Serbisë dhe të ndonjë segmenti brenda BE-së për t’ia rikthyer sovranitetin Serbisë mbi pjesë të territorit apo qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ky vullnet politik i kësaj lagje-shtetesh brenda BE-së në raport me Serbinë, në realitet është reflektuar gjatë gjithë procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë (2011–2024), por më i hapur është në vendimin për masat ndëshkuese ndaj Kosovës që u morën pas ngjarjeve të majit 2023 në veri dhe me theks në vendimin për heqjen e vizave për qytetarët serb që posedojnë pasaporta të lëshuar nga mekanizmat paralel të Serbisë në Kosovë.

Në rrafshin e së drejtës ndërkombëtare ky vendim bie ndesh me parimin bazë të rendit aktual, që bazohet në të drejtën e shtetit për aplikim të rendit unik juridik, por edhe me të drejtën moderne mbi njohjen e dyshtetësisë që e aplikojnë një pjesë e mirë e shteteve anëtarë të BE-së. Rrjedhimisht ky akt nuk mund të prodhojë efekte juridike, prandaj ai është nul.

Si të tillë duhet ta trajtojnë edhe strukturat e shtetit. Ai nuk mund t’i imponohet Kosovës.

Kur një brez diplomatësh dështon

Pas deklaratës së QUINT-it lidhur me “statusin e Urës së Ibrit” ndërkohë u bë publik edhe prononcimi nga komanda e KFOR-it për ktë “çështje”.
Deri tashti KFOR-i e kishte cilësuar praninë e patrullës në afërsi të urës si pjesë të patrullimit të rregullt “në urë dhe përqark saj”. Ndërkaq tani e cilëson prezencën si “prani fikse”, që d.t.th se de fakto kemi “një ndryshim të statusit të urës”!
Diplomatët e QUINT-i në deklaratën e shkurtër, por tejet të qartë, që e lexoi ambasadori amerikan, pohonin prerë: statusi i Urës së Ibrit nuk ndryshon!

“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona, në konsultim me NATO-n, nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës së Mitrovicës aktualisht”, tha Hovenier.


Ky qëndrim shpërfaqet kaq shqeto kundër hapjes së urës fill pas deklaratës së kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, përmes së cilës ai edhe një herë afishoi publikisht qëndrimin se Serbia nuk është dakord me planin franko-gjerman të arritur në vitin 2022 për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se Beogradi “nuk do të nënshkruante asgjë që konfirmonte shtetësinë e Kosovës. ”

Kjo deklaratë bie ndesh jo vetëm me realitetin e krijuar në veri, por edhe me marrëveshjet e vitit 2015 e 2016 dhe gjithë procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve e prosperim të paqes. Ajo cenon rënd rendin kushtetues të Kosovës dhe risjellë në pikëpyetje vet aktin e shpalljes së pavarësisë.
Kjo deklaratë bie ndesh edhe me vet frymën e Marrëveshjes së Vestfalisë që i dha fund luftës njëqindvjeçare në Europë. Atbotë, të urtit e Europës, në krye të të cilëve ishte ministri francez Armand-Jean du Plessis, i njohur shkurt si Kardinal Richelieu, që po bën historinë. Ata ishin para alternativës: të vendosnin pro unitetit shpirtëror apo të mirrnin në konsideratë përparësitë strategjike, kur do të vendosnin për përfundimin e luftës, duke vënë në qendër interesin nacional, që më pas do të të cilësohet si raison d’etat [rezon shtetëror]. Me shumicë të theksuar vendosën për variantin e dytë dhe kështu i vunë themelet e një rendi të ri europian. Pas këtij vendimi, siç shprehet Kissinger, qëndronte “kalkulimi i ftohtë mbi shtetin-komb”.[2]

***

Ura e Ibrit që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe, të krijuara konform Marrëveshjes së Ahtisarit, ishte bllokuar për herë të parë pas luftës në vitin 1999.

Gjatë procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, konform rezolutës së OKB-së [2010], që ngarkonte BE-në si fasilitator, qe arritur marrëveshja për lëshimin e saj, pasi të ristrukturohej. Për këtë qëllim u investua në infrastrukturën e saj nga fondet e BE-së si dhe u hap për qarkullim të këmbësorëve, por ajo, pra Ura e Ibrit vazhdon të jetë e bllokuar për automjete edhe sot e kësaj dite.
Në fillim të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut kishte marrë një vendim për hapjen e urës. Ata kishin thënë se vendimin e bazojnë në Marrëveshjen e Brukselit që kishte paraparë hapjen e urës në vitet 2015–2016.[3]
Në rastin e Urës së Ibrit, në emër të ruajtjes së unitetit transatlantik [me elemente të dogmatizmit religjioz!] dhe interesave të shteteve të njohura tradicionalisht si mike të Serbisë, nuk mund të shkelen parimet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti modern dhe vet BE-ja.

Deklarata e KFOR-it shkon një hap më larg: në fakt e thotë të kundërtën e asaj që pohon QUINT-i rreth status quosë së statusit të urës! Përmes saj duket shqeto intenca për ta çimentuar këtë pozicionim në një lloj kufiri ndarës, qoftë edhe formal, mes shqiptarëve dhe serbëve.

Lexo më shumë  Jemi dëshmitarë të krijimit të një presidenti fashist në kohë reale

Duket sikur heshtja morbide ndaj aktit agresiv të Serbisë më 24 shtator 2023 e ka pikërisht burimin tek ky qëndrim!

Atë që nuk e bëri dot Serbia me një njësitë të trajnuar për aktivitete subversive dhe përmes simulimit të një kryengritje, sikur pretendon ta bëjë e mbajë në jetë pikërisht diplomacia! Prandaj ndarjen faktike të veriut, nuk duhet të harrojmë, e kishte bërë diplomacia [Konferenca e Rambujesë], qoftë edhe nën rrogoz e në heshtje, madje, sipas të gjitha gjasave, në marrëveshje edhe me kreun e delegacionit shqiptar [!]. Nuk ishte krejt i rastësishëm dislokimi i trupave franceze të KFOR-it pikërisht në këtë zonë.

Ky fakt tashmë është sekret publik.

Kjo sjellje e diplomacisë sikur na kujton qëndrimin disi pajtues që ajo ushqente duke tumirë në heshtje deklaratat e Vuçiçit, që i kishte bërë publike pasi ishte akorduar me ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, për ndarjen e Kosovës, por që cilësohej me gjuhë eufemiste si “riporkufizim” i kufirit mes serbëve dhe shqiptarëve [Vuçiq: Razgraničenje s Albancima najzdravije za Srbe]. [4]

***

Në Gjermani përceptimi i përgjithshëm se Ostpolitika — që zakonisht kuptohet si një politikë e bazuar në idenë e bashkëjetesës paqësore me Rusinë [5], që për autor gjykohet se ka ish kancelarin Willy Brandt — por që ishte ushqyer gjatë kohë edhe nga kancelarja Angela Merkel, tani është diskredituar plotësisht.

Qëndrimi i diplomacisë perendimore ndaj Serbisë sot, sikur të rikujton pikërisht këtë pozicion kundruall Serbisë, meqë insistohet tutje si nga BE-ja edhe nga SHBA-të, për një “bashkëjetesë paqësore” me çdo çmim me Serbinë, në emër të interesit gjeostrategjik dhe tërheqjes së saj nga orbita ruse e ndikimit.
Në qarqet elitare politike të Gjermanisë sot, potencohet shqeto se elitat e politikës së jashtme të Gjermanisë ndërkohë beson në masë dërrmuese se socialdemokratët ishin bllokuar në një pikëpamje të vjetëruar, kur kishin të bënin me Federatën Ruse, madje deri në prag të pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt 2022,
Nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë që do të hidhte dritë mbi burimin që ka qëndrimi i diplomacisë perendimore sot në raport me Serbinë dhe konkretisht projektin e “Botës serbe”, por perceptimi se kjo diplomaci, respektivisht ky brez diplomatësh, po dështon sërish në raport me Ballkanin, është i pranueshëm gjithnjë e më shumë në qarqet intelektuale kritike perendimore.

Por nëse kancelari gjerman, Olaf Scholz, premtoi një kurs të ri pas pushtimit rus të Ukrainës, që qe cilësuar nga ai si një Zeitvende [Pikë kthese], ai ndërkohë po përsëritë të njejtin gabim me Serbinë, duke nënshkruar madje edhe marrëveshjen për litiumin serb që e mban në pushtet autokratin Vuçiq, duke shpërfillur tërësisht vlerat mbi të cilat është ngritur BE-ja.

Analisti gjerman, Bodo Weber, në një intervistë për gazetën serbe “Danas” ka folur rreth marrëveshjes së Bashkimit Evropian, Gjermanisë e Beogradit për litiumin.[6]  Duke komentuar konferencën për media të kancelarit Scholz dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, përfshi edhe çështjen e Kosovës, Weber nuk la pa nënvizuar edhe fenomenin e rënies së diplomacisë pernedimore në kurthin serb, disi ngjashëm me atë të fillimit të Luftës së Ftohtë, kur interesat specifike prevalonin mbi ato idologjike.
Krejt kjo, po ndodhë sipas Weber-it, meqë kështu, me këtë lëvizje të BE-së, ky komunitet po hap siparin e fazës së tretë të zbutjes së Serbisë.
Ai thotë se tragjedia e kësaj politike të zbutjes “shumë më tepër sesa dimensioni i saj moral — që d.t.th tradhti ndaj vlerave liberale-demokratike të vetë Perëndimit, ka të bëjë me faktin se kjo politikë, sipas regjimit të Vuçiqit, tashmë është dëshmuar se ka dështuar”.

Weber, si gjithnjë i drejtpërdrejtë, nënvizon se kjo ka dështuar në një “episod të shkëmbimit të territoreve, ku rajoni, dhe rrjedhimisht Europa, shmangën për fije peri destabilizimin më të gjerë dhe përshkallëzimin e dhunshëm në një shkallë më të gjerë. Prandaj, kjo politikë e shkëmbimit të një interesi me një tjetër, ndërkohë që shërben për të kënaqur një interes në një afat të shkurtër, në të njëjtën kohë, në afat të gjatë, minon tërësisht interesat tjera strategjike të Gjermanisë, BE-së dhe Perëndimit në tërësi, me pasoja të pallogaritshme”.[7]
Nëse parimi mitik gjerman „Wandel durch Handel“ [Ndryshim kursi përmes bashkëpunimit/tregëtisë] me Rusinë dështoi tërësisht dhe me turp, ndjekja e këtij parimi me Serbinë, nuk mund të ketë një fund tjetër, përveç atij që tashmë është sprovuar me Rusinë.

Kur mungon baza e realizmit politik — Ostpolitika në raport me Serbinë, e sidomos kur ajo ushtrohet pa një bazë të mirëfilltë të realizmi politik, nuk ka se si ajo të mos shndërrohet në karikaturë liberale.

Egon Bahr, arkitekti i Ostpolitik-ës po aq sa edhe ish ministri i jashtëm nga më të sukseshmit që kishte Gjermania, Hans Dietrich Genscher, ishin realist dhe kishin parasysh në këtë veprim, jo transformimin e Bashkimit Sovjetik, por objektivin jetik gjerman — ribashkimin e Gjermanisë.
Prandaj realistët gjykojnë sot se, Ostpolitika gjermane ishte treguar e sukseshme në raport me interesin strategjik nacional gjerman, duke u kurorëzuar me marrëveshjen e njohur si 4+2 që i hapi rrugë ribashkimit të Gjermanisë.
Ndërkaq vazhdimi i saj në rrethana krejt tjera, pas rënies së Murit të Berlinit dhe me theks pas pushtimit të Krimesë [2014], është akti emrional që shenjon fiaskon e diplomacisë perednimore në raport me Federatën Ruse.

Të veprosh sot me Serbinë bazuar në konceptet e Ostpolitikës, flet për mungesë të vet konceptit real dhe për mosnjohje të thellë të historisë së Europës Juglindore. Të bërit biznes me Serbinë, respektivisht ta ndërtosh konceptin politik të përafrimit të Serbisë me BE-në dhe Perednimin, duke marrë në konsideratë interesat gjeoekonomike, nuk i shërben qëllimit. Ky koncept tashmë shpërfaqë para syve tanë një karikaturë liberale pa një bazë të mirëfilltë të realizmit politik.
Bashkëjetesa paqësore me Serbinë prandaj duket e paarritshme. Ndërkaq insistimi i Perednimit për ushtrimin e doktrinës gjermane — Ostpolitikës në raport me Serbinë, si dikur me BRSS-në e më pas edhe me Federatën Ruse, nuk ka dhënë fryetet e pritura, respektivisht ka dështuar.
Madje
Ndërkohë, përmes reagimeve të fundit në raport me planin e qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e urës së Ibrit, diplomacia perednimore sikur po e hedhë foshnjën e sapolindur bashkë me ujin e pëgërë!
Ndërkohë qëndrimi i diplomaciës perendimore në raport me Kosovën është krejt surreal dhe i përmbysur. Prandaj qytetari i rëndomtë nuk arrinë dot ta kuptojë se si është e mundshme të ndodhë ky fenomen vetëm brenda dy dekadave. Ky qëndrim në rastin më të mirë duket i parëndësishëm nëdrkaq në rastin më të keq, tejet kundërproduktiv përballë objektivave të Serbisë ndaj veriut të Republikës.

Hezitim apo kujdesë i tepruar
Diplomacia perendimore duke insistuar me çdo çmim ta tërheqë Serbinë nga sfera e ndikimit rus, respektivisht nga mbërthimi i saj në prehrin e Putinit, ka ushtruar tolerancë të tepruar në raport me sjelljet e saj ndaj fqinjëve, me theks ndaj Kosovës dhe Malit të Zi e Bosnjës.
Ky qëndrim e ka trimruar Beogradin, prandaj më 8 qershor kishim organizimin e Kuvendit Gjithëserb dhe proklamimin publik të platformës mbi “Botën serbe”.
Ky pozicionim i perendimit, është e qartë, frustron shumë qytetarë, por edhe vëzhguesit që nuk kanë pushuar së qortuari këtë sjellje të diplomacisë. Ekspertë të veçantë të perendimit, shih për këtë, kanë bërë thirrje për armatimin e Kosovës dhe aftësimin e FSK-së për vetmbrojtje. Prandaj disa qeveri perednimore në këtë rast, shpesh akuzohen se i janë nënshtruar interesave të tyre nacionale dhe frymës së miqësisë tradicionale me Serbinë, respektivisht frikës së pabazuar nga një kundërveprim serb [“Selbsabschreckung”] ose po vazhdojnë ta lejojnë veten të manipulohen nga Vuçiqi.
Është shumë e mundur që një lagje shtetesh të Perednimit, që nga paslufta [qershor 1999] do të mund të kishin ndjekur një politikë më bindëse në raport me Serbinë, pa provokuar iluzione për mundësinë e anakesimit të veriut nga ana e saj. Ky qëndrim do të ishte fare i mundur, nëse BE-ja do të ishte më unike në raport me të ardhmen e Kosovës. Le të kujtojmë se, vetëm pas protestave masive të pranvers së vitit 2004, kishte një rikëndellje në qarqet diplomatike, duke u bindur se nuk ka kthim të mundshëm të Serbisë në Kosovë dhe se pavarësia e Kosovës duhej konsideruar edhe si kompromis që po bënin shqiptarët, në raport me të drejtën e tyre për vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë. 

Lexo më shumë  Po thonë disa: administrata "Biden" nuk bëri asgjë për Kosovën!

Ky lloj hezitimi nga ana e diplomacisë perednimore në raport me sjelljet agresive të Serbisë [madje edhe atëheër kur Beogradi nuk fsheh fare projektet ekspansioniste], solli sprovën e parë të kalimit nga pozicioni I luftës hibride në atë reale: agresionin serb të 24 shtatorit 2024 në veriun e Kosovës.

Në praktikë, kjo sjellje, jo vetëm ndaj aktiviteteve hibride, por edhe pas agresionnit konkret, ka dëshmuar se kështu Perendimi i ka dhënë zemër Vuçiqit që të projektoj tutje “Perandorinë Serbe” që ai e koncepton si “Bota Serbe”.
Në këtë rast nuk kanë ndihmuar as paralajmrimet e disa analistëve tek kanë aplikur togfjalëshin kreativ [“deterrence by entanglement”] për ta bërë të pranueshëm parimin e parandalimit në këtë zonë gri të luftës hibride!
Përgjigjia më adekuate e Perndimit në këtë rast do të ishte mbështetja e fuqishme e Kosovës në planin gjithëpërfshirës, duke ndikuar ndjeshëm në forcimin e qëndrueshmërisë së Shtetit, ekonomisë dhe shoqërisë, do të shprehej Michael Rühle, eksperti ushtarak gjerman. [8]

Disa nga arsyet e dështimit të diplomacisë

Diplomacia perëndimore në rastin konkret në opinionin publik shqiptar dhe jo vetëm, po perceptohet si jo e suksesshme për disa arsye qenësore:

1. Ndërhyrja e fuqive të tjera — Në Ballkan, fuqitë e tjera globale, si Rusia dhe Kina, kanë ndjekur politika që shpesh janë në kundërshtim me interesat e Perëndimit. Këto vende ofrojnë alternativa ekonomike dhe politike për disa vende ballkanike, duke zbehur ndikimin e diplomacisë perëndimore. Për shembull, Rusia ka mbështetur Serbinë në çështjen e Kosovës dhe ka kultivuar lidhje të forta me disa grupe etnike ortodokse në rajon.

2. Korrupsioni dhe problemet e brendshme politike -Shumë vende të Ballkanit përballen me korrupsion të lartë, dobësi institucionale dhe probleme të mëdha në qeverisje. Këto sfida e bëjnë të vështirë implementimin e reformave të kërkuara nga BE-ja dhe SHBA-ja. Për më tepër, elitat politike shpesh janë të interesuara më shumë për mbajtjen e pushtetit sesa për avancimin e agjendave reformuese që kërkojnë perëndimorët.

3. Lodhja nga zgjerimi i BE-së — Në vitet e fundit, ka pasur një lodhje nga zgjerimi i BE-së si brenda Unionit ashtu edhe ndër vendet kandidate. Kjo ka çuar në një ngadalësim të procesit të anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Shumë shtete të rajonit ndihen të zhgënjyera dhe të lënë pas dore nga BE-ja, duke humbur besimin në diplomacinë perëndimore dhe duke kërkuar alternativa të tjera.

4. Problemet e brendshme të BE-së dhe SHBA-së — Krizat e brendshme brenda Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, si Brexit, ngjitja e populizmit dhe polarizimi politik, kanë devijuar vëmendjen dhe burimet nga Ballkani. Si rrjedhojë, angazhimi perëndimor në rajon shpesh ka qenë i fragmentuar dhe jo i koordinuar.

5. Përceptimi i dyfishtë dhe mungesa e koherencës — Diplomacia perëndimore shpesh perceptohet si jo koherente ose e mbështetur në standarde të dyfishta. Ndërhyrja ushtarake në Kosovë në vitin 1999 krahasuar me qëndrimin ndaj konflikteve të tjera në rajon, si dhe menaxhimi i krizës së refugjatëve, kanë krijuar perceptime të ndryshme rreth motivimeve dhe parimeve të diplomacisë perëndimore.

Këta faktorë së bashku kanë krijuar një mjedis sfidues për diplomacinë perëndimore në Ballkan, duke bërë që shumë përpjekje për stabilizim, demokratizim dhe integrim evropian të ngecin ose të dështojnë plotësisht. Ndërkaq në rastin e Kosovës ky dështim duket më eklatant.

Ka ardhur koha e një brezi të ri diplomatësh që do t’i përafroheshin Kardinalit Richelieu dhe që e konsiderojnë dhe trajtojnë Europën Juglindore si pjesë reale të Hemisferës Perendimore.

Objektivi jetik shqiptar
Pavarësisht këtij realiteti të hidhur, dy qendrat e Kombit, Tirana dhe Prishtina, kanë nevojë urgjente për një strategji dalëse nga gjendja aktuale edhe në raport me diplomacinë perednimore, jo vetëm me Serbinë. Pavarësisht nga të gjitha diferencat konceptuale, si Komb jemi në gjendje më favorizuese se sa ishim përgjatë gjithë epokës së Luftës së Ftohtë, respektivisht para pavarësisë së Kosovës. Sot kur situata aktuale në Evropë gjithnjë e më shumë po i ngjan asaj të Luftës së Ftohtë, ndërkaq tani më shumë se sa në prag të luftës në Kosovë, pozicionimi strategjik i dy republikave tona, do t’i jipte peshën e duhur specifike Kombit. Kjo do të thotë se strategjia e munguar deri dje, nuk guxon të na mungoj nesër, kur do të jemi veç në proces të ristrukturimit të arkiteturës së re të Europës.
Në këtë kapërcyell historik koncepti i Egon Bahr-it përmban dy aspekte jashtëzakonisht novatore dhe interesante që janë të rëndësishme të mirren në konsideratë si nga dy qeveritë tona, ashtu edhe nga diplomacia perendimore. Aspekti i parë ka të bëjë me vet idenë paradoksale të pranimit të realitetit për të qenë në gjendje ta ndryshoni atë.
Serbia dhe Kosova janë në gjendje lufte. Serbia e trajton tutje Kosovën si pjesë integrale të saj. Këtë e ka sanksionuar edhe në kushtetutë. Ndërkaq në Platformën e aprovuar së fundmi në emër të “Botës serbe”, Kosova cilësohet si krahinë serbe, pjesë e patjetërsueshme e Serbisë! [9]
Dështimi i Serbisë dhe jo vetëm i saj, më 24 shtator 2023, për ta bërë akt të kryer aneksimin e veriut, këtë realitet e ka shpërfaqur në dimensionin e ri që tashmë po e promovon Beogradi në raport me Kosovën edhe përmes një elite diplomatësh perendimor të dështuar.

Aspekti i dytë i Ostpolitik-ës ka të bëjë me idenë për të punuar me hapa të vegjël drejt një qëllimi afatgjatë që duket i paarritshëm.
Hedhja e hapave të parë të krijimit të Federatës Shqiptare, sidomos në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, do të shërbente si mesazh i fuqishëm jo vetëm për Beogradin.
Epoka e zgjerimit të Serbisë në dëm të interesit jetik shqiptar, ka marrë fund.
Kosova tashmë ka shijuar lirinë e gjakuar ndër breza dhe së fundmi po din me dashtë atë.

Tashmë është e qartë se lufta në Ukrainë dhe mundësitë reale të shpërfaqjes më të theksuar të Luftës së Re të Ftohtë me pasoja për Europën, do të reflektojë edhe në Ballkan. Sidoqoftë, pas çlirimit të Kosovës dhe krijimit të Republiës së dytë shqiptare, pozita e shqiptarëve është larg më e mirë nga ajo që kishim gjatë Luftës së Ftohtë [1949–1989].

Klasa jonë politike, në dy republikat tona, tani do të duhej të mendonin se si mund t’i zbatojnë këto dy aspekte që zura në gojë më lart, duke reflektuar ndaj situatës së krijuar jo vetëm rreth Urës së Ibrit, që po shfryëtzohet tutje nga Serbia dhe aleatët e saj me qëllim që ta promovojnë si simbol të një “konflikti të ngrirë”. Shih pr këtë Ura e Ibrit tashmë është shndërruar në një simbol që do të promovojë Kosovën në “një konfliktit të ngrirë” për kohë të pacaktuar ose Republikë sovrane.

Ostpolitika na mëson të pranojmë realitetin aktual nga njëra anë, por ajo na mëson edhe faktin që në këtë proces nuk guxojmë të humbasim objektivin konceptual e jetik për Kombin. Mitrovica është pjesë integrale dhe qenësore e këtij interesi. Integrimi i plotë i veriut është mision historik i kësaj klase aktuale politike në Prishtinë. Prandaj koha është për një reflektim të thellë dhe ndërveprim konform misionit historik.

______________________
1
. Henry Kissinger, Welt Ordnung, Botimi 4, Muenchen, 2014, f. 12

2. Henry Kissinger, Welt Ordnung, Botimi 4, Muenchen, 2014, f. 34

3https://www.evropaelire.org/a/ura-e-ibrit-si-dhe-kur-mund-te-hapet-/33069381.html

4. https://balkans.aljazeera.net/news/balkan/2019/6/6/vucic-razgranicenje-s-albancima-najzdravije-za-srbe

5. https://www.ipg-journal.de/rubriken/aussen-und-sicherheitspolitik/artikel/mission-frieden-7668/?utm_campaign=de_40_20240802&utm_medium=email&utm_source=newsletter

6. https://www.danas.rs/vesti/politika/bodo-veber-intervju-litijum/

7. Po aty

8. https://internationalepolitik.de/de/moeglichkeiten-und-grenzen-der-abschreckung

9. https://www.evropaelire.org/a/kuvendi-gjitheserb-i-serbise-dhe-republikes-serpska/32983800.html

Rruga Press

YouTube player