KryesoreLajme

Kurti: Hapja e Urës së Ibrit s’është kundër askujt

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është kundër askujt, e aq më pak partnerëve të Kosovës.

Në hyrjen e mbledhjes së 216-të të Qeverisë së Kosovës, Kurti ka thënë se Kosova është shtet normal dhe se si i tillë duhet t’i ketë edhe urat normale – të hapura.

“Me komandantin e KFOR-it mbrëmë kemi biseduar edhe për hapjen e Urës mbi Ibër, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse që i kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR-it dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimeve të vazhdueshme. Qeveria dhe unë besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Do të vazhdojmë diskutimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës s’është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  Kurti: Kryeministrat nuk formojnë asociacione, kjo duhet të bëhet nga komunat
YouTube player