Opinion/Aktualitet

Mirëqënie nuk ka prodhuar! Borxhi publik zgjerohet me 394 mln euro në 6-mujorin e parë

Stoku i borxhit publik u rrit me mbi 394 milionë euro në 6-mujorin e parë, në krahasim me fundin e vitit 2020. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave raportojnë se stoku i borxhit arriti në 1,273 miliardë lekë në fund të qershorit 2020, duke u rritur me 49 miliardë lekë, në krahasim me fundin e vitit 2020.

Rritja ka qenë më e madhe për borxhin e brendshëm, me rreth 40 miliardë lekë dhe rreth 9 miliardë lekë për borxhin e jashtëm.

Në raport me PBB, stoku i borxhit ishte 75,6%. Por krahasimi me PBB pa përfunduar viti nuk është shumë i vlefshëm për shkak se, stoku i borxhit tashmë të krijuar krahasohet me PBB e pritshme të fundit të vitit. Si rrjedhojë në tre 3-mujorët e parë të vitit, borxhi në përqindje të PBB është më i ulët se rezultati vjetor.

Për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe krizës së pandemisë, qeveria shqiptare rriti borxhin publik në përqindje më shumë se vendet e tjera të rajonit. Vitin e kaluar borxhi u rrit rreth 12 pikë për qind të PBB-së

Në korrik të këtij viti, qeveria ndryshoi me akt normativ buxhetin 2021, duke zgjeruar sërish borxhin publik nëpërmjet rritjes së deficitit buxhetor në 120 miliardë lekë (rreth 1 miliard euro) nga 108 miliardë lekë që ishte në fillim të vitit, duke e çuar totalin e detyrimeve rreth 1,3 triliardë lekë (afërsisht 80% e PBB-së së parashikuar në buxhetin fillestar).

Lexo më shumë  Sado zgjedhje të bëhen, opozita, çdo opozitë, mund ta bllokojë shtetin, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve

Ky ndryshim zuri në befasi institucionet financiare ndërkombëtare dhe ekspertët e fushës, të cilët nuk prisnin kthesën e papritur të qeverisë për të financuar me borxh disa projekte afatgjata, të tilla si ndërtimi i Unazës së Re, Teatrit Kombëtar dhe Tunelit të Llogorasë ende pa sheshuar efektet direkte të dy krizave të fundit. Për më tepër, zgjerimi i borxhit u bë me akt normativ, duke thyer edhe rregullin fiskal që është përcaktuar në ligjin organik të buxhetit, i cili nuk lejon masa fiskale që rrisin borxhin në përqindje të PBB-së, përveçse në raste të jashtëzakonshme.

Gjatë viteve të fundit, qeveria e ka rritur borxhin publik me ritme më të shpejta se sa rritja ekonomike e vendit.

Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë arriti në 552,400 lekë në vitin 2020, nga 433,600 lekë në vitin 2010, sipas të dhënave zyrtare të azhurnuara nga Ministra e Financave në Kuadrin Afatmesëm Makroekonomik. Gjatë dekadës, PBB për frymë është rritur me 36%. Por borxhi publik për frymë është rritur me ritme më të shpejta. Në vitin 2020, detyrimet publike për banor arritën në 476,105 lekë, me një rritje 75% nga viti 2010, ku treguesi ishte 245,152 lekë për frymë.

Lexo më shumë  A mund të shkelet më rëndë Kushtetuta nga një president se sa përmes një akti që synon përmbysjen e rendit demokratik dhe vullnetit politik të zgjedhjeve të lira për motive dhe interesa egoiste politike

Të dhënat tregojnë se pesha e borxhit është zgjeruar vitet e fundit. Në vitin 2010, shqiptarët kishin borxh rreth 56% të PBB për frymë, ndërsa më 2020, kishin borxh 78% të PBB-së për frymë. Ecuria e borxhit dhe të ardhurave për frymë tregon dy dobësi të aftësive menaxhuese të qeverisë.

E para, borxhi nuk ka arritur të prodhojë mirëqenie për shqiptarët.

E dyta, barra e borxhit po vijon të rritet pa kontroll në projekte që sigurojnë shpërndarje të pabarabartë të shpenzimeve që kryhen me borxh.

Për rrjedhojë, gjatë dekadës në vijim, taksat e shqiptarëve gjithnjë e më shumë do të përdoren për të shlyer borxhin dhe interesat e tij, në vend që të rriten pagat, pensionet dhe të ndërtohen vepra publike./monitor/

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *