KryesoreLajme

Diplomojnë 448 kadetë, kryeministri Kurti: Policia po shtohet e forcohet

Këtë të premte, ka diplomuar gjenerata e 60-të e Policisë së Kosovës. Në ceremoninë e organizuar të diplomimit kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe personalitete të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë dhe eprorë të Policisë së Kosovës.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti ka shprehur kënaqësinë që ndër 448 kadetët që diplomuan, një e pesta janë gra, dhe nga sot ato do të marrin titullin e zyrtareve policore.

Kurti ka thënë se polica po shtohet dhe po forcon  radhët e saj duke qenë në nivelin më të lartë të detyrës për sundimin e ligjit dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit të vendit.

Lexo më shumë  Von der Leyen pret liderët: Të gjashtë shtetet e kanë vendin në Evropë

“Jam shumë i lumtur që nga 448 kadetë, çdo e pesta është grua dhe nga sot e tutje ato do të marrin titullin e zyrtareve policore. Sikurse në çdo gjeneratë tjetër edhe sot diplomojnë kadetë nga radhët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë ndërsa është hapur konkursi i veçantë po ashtu për komunitete në Policinë e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Kryeministri ka theksuar përmirësimet në buxhetin e Policisë, duke e krahasuar me vitin kur morën detyrën si qeveri.

“Kur e morëm detyrën, buxheti për Policinë e Kosovës ishte 91 milionë euro, ndërsa tani është rreth 135 milionë euro, që përbën një rritje prej 50%. Si rezultat, kushtet e punës për pjesëtarët e Policisë janë përmirësuar”, ka shtuar ai.

Kurti ka potencuar rëndësinë e mbështetjes për Policinë e Kosovës dhe premtoi se Qeveria do të vazhdojë të mbështesë forcën policore.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës , Gazmend Hoxha, ka thënë se diplomimi i kësaj gjenerate tregon përkushtimin e tyre për të tejkaluar të gjitha sfidat për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

YouTube player