Teatri i shekullit XIX ku luajti Charlie Chaplin, do të rihapet
Nga hapja në vitin 1888, ndërtesa është shfrytëzuar si sallë muzikore, sallë për bingo dhe së fundmi si klub nate. Këshilli i qytetit Swansea e kishte blerë ndërtesën në vitin 2020, pas një sulmi të dyshuar me zjarrvënie. Ajo do të rihapet në shtator dhe do të shërbejë si kafene, hapësirë për ngjarje kulturore dhe zyrë biznesi
Një sallë muzikore e braktisur ku kanë performuar yjet e famshme, duke përfshirë edhe Charlie Chaplinin de Anthony Hopkins, do të rihapet. Pasi ka qëndruar bosh dhe i braktisur për më shumë se 15 vjet, teatri “Palace” në Swansea, i përfshirë në listën e monumenteve të mbrojtura nga shteti, do të rihapet në muajin shtator dhe do të shërbejë si kafene, hapësirë për ngjarje kulturore dhe zyrë biznesi.
Nga hapja në vitin 1888, ndërtesa është shfrytëzuar si sallë muzikore, sallë për bingo dhe së fundmi si klub i natës. Këshilli i qytetit Swansea e kishte blerë ndërtesën në vitin 2020, vetëm pak ditë pas një sulmi të dyshuar me zjarrvënie.
Udhëheqësi i Këshillit, Rob Stewart, ka thënë se restaurimi që ka kushtuar rreth 10 milionë funte ishte “i rëndësishëm për brezat e ardhshëm dhe historinë e qytetit”. Shumë prej tipareve origjinale të ndërtesës janë restauruar, përfshirë këtu harkun përreth skenës, parmakët dhe tullat e kuqe.
Rich Harris, drejtues i departamentit për zhvillim në komunitetin e sipërmarrësve, “Tramshed Tech”, të cilët do ta marrin me qira ndërtesën, ka thënë se duke punuar për së afërmi me arkitektët dhe ndërtuesit, kanë pasur mundësi që të ruajnë sa më shumë nga karakteristikat origjinale të objektit.
“Po punojmë me disa artistë vendës dhe bashkë po përpiqemi që me perden e kapluar nga zjarri që ishte fillimisht këtu, t’i bëjmë disa vepra arti. Gjithashtu, është duke u rregulluar sistemi mekanik për lëvizjen e kësaj perdeje”, ka thënë Harris.
Por restaurimi i ndërtesës nuk kaloi pa befasi, përfshirë këtu zbulimin e një pusi në bodrum. Harris ka thënë se bashkëpunimi me komunitetin ishte pjesë kyçe e projektit dhe se kompania dëshiron të “përshtatet mirë” me bizneset ekzistuese të Swanseas.
Gwenno Jones, drejtuese e lartë e komunitetit në “Tramshed Tech”, deklaroi se hapësirat e ndërtesës do të shfrytëzohen për qëllime të ndryshme dhe skena e teatrit “Palace” do të rijetësohet.
“Gjatë natës, zona kryesore do të përdoret si një hapësirë ngjarjesh të ndryshme kulturore, prandaj skenën do ta përdorim për të njëjtat qëllime për të cilat u ndërtua fillimisht”, ka thënë ajo.
Akademia Mbretërore e Inxhinierisë do të bazohet gjithashtu në teatër sapo të rihapet dhe Michael McMahon ka thënë se synojnë që të punojnë me “novatorë dhe sipërmarrës në të gjithë vendin”.
“Natyrisht ne jemi afër stacionit të trenit, jemi mes kampuseve universitare e kolegjeve dhe shumë biznese të ndryshme të vogla janë vendosur në këtë zonë, kështu që është lokacion që u përshtatet dukshëm nevojave tona”.
Projekti i restaurimit po financohet nga Fondi Evropian i Zhvillimit Rajonal, qeveria e Uellsit dhe këshilli i Swanseas.
“Teatri ‘Palace’ ka një histori të madhe dhe është pjesë e rigjenerimit më të gjerë të qendrës së qytetit Swansea”, ka thënë Stewart, udhëheqësi i Këshillit të qytetit.
Ai ka shtuar se ndërtesa është restauruar për gjeneratat e ardhshme të Swanesas. Sipas tij, ky projekt ishte pjesë e përpjekjeve për të përballuar “rritjen e kërkesave” për më shumë hapësira zyrash në qendër të qytetit./BBC
Rruga Press