Sport

Qeveria e Kosovës: Franca si model për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe zëvendësministren Daulina Osmani, mori pjesë në ceremoninë solemne të hapjes së Lojërave të tridhjetë e treta Olimpike në Paris, në kryeqytetin francez ku u mbajtën edhe mu para një shekulli.

“Midis 206 vendeve të përfaqësuara dhe që parakaluan para publikut me 10,500 atletët – me një barazi gjinore të përpiktë 50/50 gra dhe burra për herën e parë, që lundruan në lumin Senë, si popull e si shtet të gjithë përjetuam krenarë kalimin e delegacionit të Komitetit Olimpik të Kosovës, i cili edhe fillon sot pjesëmarrjen në garat e para përmes boksieres Donika Sadiku”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Kështu, nga sheshi i të drejtave të njeriut të Trocadero-s dhe para kullës së Eiffel-it, Kurti thotë se janë  krenuar me praninë e shtetit tonë.

Kjo ceremoni olimpike për herën e parë nuk u mbajt në një stadium olimpik, por jashtë saj duke e bërë edhe më të gjallë ‘Qytetin e Dritave’ me animacionet dhe shkëlqimin e monumenteve historike buzë Senës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohjen e saj ndaj shtetit francez dhe komunës së Parisit për mikpritjen e përzemërt, por edhe një mirënjohje të veçantë për mijëra sportistët, artistët dhe vullnetarët që na ofruan një shembull dhe shfaqje kaq të bukur të një përkushtimi dhe vullneti kolektiv”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Teksa kjo e fundit thuhet se ka nisur dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, dhe ndërsa “bisedimet filluan me Francën për të nxjerrë mësime të këtyre Lojërave Olimpike”. “Jemi të vetëdijshëm për sfidat, por edhe të gatshëm po ashtu për t’i tejkaluar ato me përplot përkushtim dhe vullnet”, thuhet në komunikatën e ekzekutivit.

YouTube player