“Po vjen ushtria ruse!”. Gjenerali gjerman: Përgatituni, për 5 vite NATO do të sulmohet
Gjenerali i ushtrisë gjermane, Carsten Breuer, shikon ngritjen ushtarake ruse si një rrezik në rritje. Në një intervistë për median gjermane, Tagesshpigel, gjenerali i rëndësishëm i Gjermanisë, thekosoi se, ushtria ruse po vjen drejt Perëndimit.
“Ne po vëzhgojmë se ushtria ruse po drejtohet drejt perëndimit. Në pesë deri në tetë vjet, forcat e armatosura të Moskës do të pajisen me materiale dhe personel për të bërë të mundur një sulm në territorin e NATO-s”, tha Carsten Breuer, Gjeneral i Ushtrisë gjermane.
Brauer përmendi informacionet nga shërbimet sekrete dhe forcat e armatosura aleate, si dhe deklaratat e presidentit rus Vladimir Putin si bazë për vlerësimet.
“Ushtria ruse po shton 1 mijë deri në 1 mijë e 500 tanke shtesë çdo vit. Pesë vendet më të mëdha evropiane anëtare të NATO-s kanë vetëm gjysmën e tyre në magazine. Ushtria gjermane ka rreth 300 tanke luftarake. Nëse kjo aftësi kombinohet me qëllimin, që mund të lexohet patjetër nga fjalimet e Putinit, kjo duhet të na alarmojë. Detyra ime është të mendoj për një skenar të tillë të rastit më të keq. Ne duhet të përgatitemi për këtë mundësi në pesë vjet”.
Për sa i përket zhvillimeve në frontin lindor të Ukrainës, Gjenerali gjerman nuk pret ndonjë ndryshim të rëndësishëm në vijat e frontit në Ukrainë për momentin, por sipas tij, Kievi mbetet i varur nga mbështetja.
Sakaq, Rusia ka reaguar ashpër në lidhje me planin për sekuestrimin e aseteve ruse në Europë dhe dhënien e tyre në formën e mbështetjes financiare për Ukrainën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia do t’i përgjigjet ashpër çdo përdorimi të të ardhurave nga asetet ruse në Evropë për të mbështetur ushtarakisht Ukrainën.
“Në një mënyrë apo tjetër, do të ketë një përgjigje. Veprimet e këtyre hajdutëve nuk mund të mbeten pa reciprocitet”, tha Peskov. Bashkimi Europian ka përllogaritur që asetet e ngrira të Rusisë të sjellin rreth 15-20 miliardë euro fitime deri në vitin 2027.
Rruga Press