Sinoptikanët: Nuk na presin ditë të mira, temperatura të larta dhe erë e fortë deri në 55 km/orë
Shqipëria nën zjarr nga temperatura dhe vëniet e qëllimshme prej njerëzve të papërgjegjshëm. Ushtria dhe emergjencat civile po përballen me zjarrin.
Ndërkohë edhe Italia, Turqia, Greqia, Maqedonia,etj janë në alarm nga temperaturat ekstreme. Edhe ato mbuluar nga zjarret.
Por sinoptikania Lajda Porja paralajmëroi sot se alarmi i kuq është për ndryshimin e parametrit të erës, i cili nesër do të ketë rritje me 10 km/orë. Pra temperatura të larta si dhe erë e fortë, çka do jetë rrezik për përhapjen e zjarrëve.
“Lajmet nuk do të thosha që janë të mira për momentin, duke qenë se ne mbetemi ende në valët e të nxehtit afrikan, të paktën sot edhe nesër. Sot temperaturat janë rreth vlerës 40 gradë. Ka pasur një rënie të lehtë, të papërfillshme nga vlerat 43 gradë e kësaj vale të nxehtë, vala e tretë për këtë verë dhe më e nxehtë për 4-5 vitet e fundit, të paktën në territorin shqiptar, ku termometri është ngjitur në 43 gradë.
I gjithë rajoni ka shënuar vlera të larta, Greqia, Turqia, Kosova, Maqedonia e Veriut. Kemi nesër një rritje të lehtë të temperaturave, kur termometri do shkojë në 41 gradë, e gjithë zona ku është problematike sa i përket zjarreve, pasi ka rritje në zonat jugore dhe jugperëndimore që nga qarku i Elbasanit e poshtë, Fier, Vlora e Gjirokastra pritet të kenë vlera më të larta për ditën e nesërme.
Ajo që vlen të theksohet dhe alarmi i kuq për të gjithë ata që dëgjojnë, do të kemi problematika me parametrin e erës. Sot do jetë 40-45 km/orë, por duke filluar nga mëngjesi i së enjtes, duke qenë se do kemi një tërheqje graduale të masave ajrore afrikane dhe ardhjen e një mase tjetër më të freskët do të kemi dhe menjëherë dhe ndryshimin e parametrit. Nesër do kemi një erë goxha të fortë, që mund të shkojë në 50-55 km/orë.
Sidomos dita e enjte dhe kryesisht në zonat jugore dhe juperëndimore që do të kenë dhe një erë të fortë gjë e cila sjell dhe zgjerimin e hartës së zjarreve. Era do jetë e pranishme dhe të premten dhe në fundjavë, por nesër pritet më e fuqishme. Dita e nesërme do të sjellë dhe një tjetër rritje. E gjithë Ultësira Perëndimore mbetet në vlerat 39-41 gradë”, tha Porja.
Ajo shpjegoi se jemi ende në valët e të nxehtit afrikan dhe se akoma nuk ka një tërheqje. “Tërheqje të kësaj vale presim të premten, ku do ketë ulje të temperaturave me 5-7 gradë në shumë zona dhe në normalizim të vlerave termike, duke shkuar në 34-35 gradë” u shpreh ajo.