KryesoreLajme

Kush i mori fondet e IPARD? Shehaj nxjerr emrat në Kuvend

Deputeti Agron Shehaj ka zhvilluar sot një interpelancë me ministren e bujqësisë, Anila Denaj për fondet e IPARD, të cilat janë bllokuar duke lënë pa financim fermerët shqiptarë.

Shehaj tregoi se ku, sipas tij, shkuan 33 milion euro, duke përmendur me emër dhe mbiemër ata që përfituan këto fonde në mënyrë të padrejtë.

Që nga vëllai i ish deputetit të PS Dashamir Peza, e deri te kryetari i Bashkisë së Divjakës, deputeti Shehaj tregoi se ku shkuan paratë e BE-së për bujqësinë.

“Është një zotëri, zonja ministre, që e ka emrin Preng Doda, është nga fshati Ten në Mirditë. Kërkoi të merrte pjesë, donte edhe ai një pjesë se ishte fermer, ishte vërtet fermer. Ka vreshta, ka dhe një kantinë të vogël me disa mjete, dhe bëri kërkesë për fonde. Ai nuk i mori, s’i mori dot ato fonde.

E di kujt i vajtën ato para’? E dini ju zonja ministre kujt i vajtën ato para’? I vajtën ish-deputetit të PS-së, 180  mijë euro, Dashamir Peza, për hotelin që ka në Pezë.

E di kujt tjetër i vajtën, se ka patur edhe të tjerë. I vajtën kantinës a restorantit, nuk e di çfarë ka bërë këtu afër, vëllait të ish-drejtorit Tusha, Sokol Tusha. Ai mori 182 mijë euro. Për këto kantina po na flisni, zonja ministre? Për këto duhet të jemi krenar ne, dhe të mburremi? Kush tjetër i ka marrë fondet zonja ministre, për të cilat ju mburreni dhe thoni që kanë dhënë kontribut shumë të madh.

Kush i ka marrë paratë? Po i ka marrë Kokoneshi, kryetari i Bashkisë Divjakës, ka marrë 44 mijë euro ky, 44 mijë euro, kryetari i Bashkisë Divjakës, 44 mijë euro, ishit në dijeni për këtë. Zv.kryetari i Bashkisë së Delvinës, ka marrë 62 mijë euro. Të afërm të ish-ministrit Tahiri, kanë marrë 36 mijë euro.  Stela Gugallja, ka marrë 310 mijë euro. Elvis Roshi, ka marrë 210 mijë euro”, tha Agron Shehaj në Kuvend.

Lexo më shumë  Rritja e autoritarizmit të pushtetit në Shqipëri dhe tiktok-u
YouTube player