Tri gratë që së shpejti mund të udhëheqin NATO -n/Njëra prej tyre anti-ruse e përbetuar
Nga Milana Nikolova/EMERGING EUROPE
Tri gra po shihen si kandidate për tu bërë Sekretare e Përgjithshme e ardhshme e NATO-s. E megjithëse tashmë i është kushtuar shumë vëmendje gjinisë dhe kombësisë së tyre, çfarë do të thoshin politikat e tri udhëheqëseve për aleancën?
Fakti se shefi i ardhshëm i NATO-s mund të jetë grua ka tërhequr shumë vëmendje. Megjithatë, shumë analistë mendojnë se ka ardhur koha.
Një nga këta është Dan Hamilton, drejtori i Programit Global të Evropës në Qendrën Woodrow Wilson.
“Tashmë është koha që NATO të ketë një sekretare të përgjithshme grua,” thotë ai për Emerging Europe. “Gjithashtu, të gjithë shefat e NATO -s deri më tani kanë ardhur ekskluzivisht nga Evropa Perëndimore, kështu që është koha për një sekretar të përgjithshëm nga lindja. Kjo do të forconte solidaritetin e Aleancës dhe do të siguronte respektimin e interesave të të gjithë Aleancës. “
Sidoqoftë, pavarësisht se shpesh janë bërë bashkë, secila nga tri gratë, për të cilat thuhet se janë duke u shqyrtuar për rolin, ka të ngjarë të sjellë qasje të kundërta në udhëheqjen e tyre.
Dalia Grybauskaitė
“Rusia është një nga kërcënimet kryesorë të NATO -s dhe kështu perspektiva e kësaj ka rëndësi, në këtë mënyrë përzgjedhja e Dalia Grybauskaitė – Zonjës së Hekurt të Balltikut – do të dërgonte një mesazh mjaft të fortë që mund të ishte edhe konfrontues,” thotë Stefano Braghiroli për Emerging Europe, profesor i asociuar në Institutin Johan Skytte i Studimeve Politike në Universitetin e Tartu, Estoni.
Grybauskaite shërbeu si presidente e Lituanisë nga 2009-a deri në 2019-n, dhe iu dha pseudonimi “Zonja e Hekurt” për qëndrimin e saj të ashpër ndaj Rusisë.
Gjatë kohës së saj në detyrë ajo ishte një nga disa udhëheqëset evropiane që kritikoi hapur Rusinë për vendosjen e trupave të saj në lindje të Ukrainës, si dhe për rrëzimin e një avioni pasagjerësh të Malaysia Airlines në vitin 2014, duke krahasuar taktikat e Presidentit rus, Vladimir Putin me ato të Stalinit dhe Hitlerit dhe duke iu referuar Rusisë një “shtet terrorist”.
“Grybauskaite do të ishte një sekretare e përgjithshme kompetente, dhe për Lituaninë do të ishte mirë ta kishim atë në këtë pozicion, sepse do të ishte më e lehtë të promovohej axhenda e saj, siç është forcimi i krahut lindor të NATO -s në përgjithësi dhe rajonit Baltik në veçanti përballë të ashtuquajturit kërcënim rus, ”thotë Vadim Volovoj i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Shkencave Politike në Universitetin Vilnius, Lituani, për Emerging Europe.
Sidoqoftë, Volovoj pranon gjithashtu se “do të ishte një sinjal për Rusinë se marrëdhëniet e tyre do të bazohen më tej në parimet e rivalitetit”.
Braghiroli argumenton se Grybauskaite mund të mos mbështetet nga vendet e Evropës Perëndimore që kërkojnë të mbajnë lidhje biznesi me Rusinë.
“Administrata aktuale Biden hap mundësinë për një shef baltik të NATO -s. Nëse Donald Trump do të ishte në pushtet sot kjo nuk do mund të ndodhte. Edhe tani Grybauskaitė mund të shihet si një zgjedhje mjaft ekstreme, jo aq nga perspektiva e Bidenit, por më shumë për vendet e Evropës jugore dhe perëndimore si Franca dhe Italia, si dhe Gjermania e cila mund të jetë më ngurruese,” shprehet ai.
Sidoqoftë, Gediminas Vitkus i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Shkencave Politike të Universitetit Vilnius, i thotë Emergin Europe se qëndrimi i ashpër i Grybauskait ndaj Rusisë nuk duhet të jetë një shkak mosemërimi për aleatët e NATO -s.
“Nuk mund të përjashtoj se ky mund të jetë një problem për Rusinë. Por pse duhet të merakosemi për Rusinë, e cila nuk është shtet anëtar? ”, pyet ai.
“Mendoj se është koha për të hequr qafe kundër-pozicionin artificial të Evropës Perëndimore dhe vendeve anëtare post-komuniste të BE-së. “Komunizmi” dhe dominimi rus përfunduan më shumë se tridhjetë vjet më parë, “thotë ai për Emerging Europe. “Prandaj, nuk ka asnjë arsye specifike për të menduar se kandidatët për pozicionet e larta në NATO nga vendet” post-komuniste “mund të jenë disi të dallueshëm.”
“Kualifikimet dhe aftësitë e personalitetit të kandidatit dhe aftësia e tij/saj për të siguruar funksionimin e shëndoshë të organizatës janë shumë më të rëndësishme,” thotë Vitkus.
Kolinda Grabar-Kitarović
Kolinda Grabar-Kitarović shërbeu si presidente e Kroacisë nga viti 2015 deri në vitin 2020, dhe para kësaj ajo mbajti pozicionin e Ndihmës-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Diplomacinë Publike, nga viti 2011 deri në 2014-n, duke e bërë atë një nga kandidatet më me përvojë për postin.
“Kandidatja kroate mund të hapë dyert për marrëdhënie disi më miqësore me Rusinë, pavarësisht se sa efektiv ose realist do të ishte një dialog i tillë,” argumenton Braghiroli.
“Zgjedhja e Kolinda Grabar-Kitarović mund të përshkruhet si më “paqësore”. I takon NATO -s se çfarë sinjali do t’i dërgojë Rusisë kur zgjedh një sekretar të ri të përgjithshëm, “thotë Volovoj.
Grabar-Kitarović, politikat e propozuara të së cilës gjatë garës presidenciale kroate të vitit 2019 janë përshkruar si flirtim me të djathtën ekstreme, është akuzuar gjithashtu se mund të jetë ca si shumë afër Moskës.
Gjatë kohës së saj si presidente Kroacia rriti marrëdhëniet e biznesit me gjigantët rusë si Gazprom dhe Sberbank, e ndërsa ishte në një udhëtim në Moskë në 2017-n, Grabar-Kitarović bëri thirrje për “zgjerimin e bashkëpunimit” midis dy vendeve.
“Fyodor Lukyanov, kreu i think tankut të lidhur me qeverinë ruse, Këshillit të Politikave të Jashtme dhe të Mbrojtjes dhe i Klubit të Diskutimit Valdai, deklaroi se Grabar-Kitarović është një kandidate më “premtuese” sesa Grybauskaitė – sepse ajo është më pak radikale, por edhe shumë më e bukur dhe “e dashur nga të gjithë”, ”thotë Mila Mikalay për Emerging Europe, pedagoge e politikës në Kolegjin Universitar Freiburg, Gjermani.
“Sergei Ermakov nga think tanku qeveritar, Instituti Rus për Studime Strategjike, pohoi se Grabar-Kitarović ishte e aftë në luftën e propagandës dhe informacionit, por gjithashtu një profesioniste dhe e aftë për të “ruajtur një dukje të ekuilibrit” në marrëdhëniet midis NATO-s dhe Rusisë,” shton Mikalay.
“Në të njëjtën kohë, Ermakov vuri në dyshim rëndësinë e një shefeje grua të NATO -s: “Nëse gjërat bëhen serioze, gjeneralët e ushtrisë – kryesisht nga SHBA- do e lënë anash në një cep sekretaren e përgjithshme”.
Kersti Kaljulaid
“Kersti Kaljulaid mund të jetë një ekuilibër i mirë,” argumenton Stefano Bragholi. “Perspektiva baltike sjell realizmin e domosdoshëm në lidhje me Rusinë, por poashtu, Grybauskaitė nuk është “skifteri” që paraqitet ndonjëherë si e tillë. Ajo nuk është aq haptazi konfrontuese.”
Presidentja aktuale estoneze e qendrës së djathtë ka qenë në detyrë që nga viti 2016. Pavarësisht se shpesh përdor gjuhë më të matur se Grybauskaitė, mesazhi i Kaljulaid për Aleancën ka qenë mjaft i ngjashëm – Rusia mbetet një kërcënim i madh i sigurisë për Evropën.
“Mbajtja e trupave ushtarakë në terren i ka bërë të gjithë aleatët e NATO-s të mendojnë më me kujdes për reagimin e tyre të mundshëm, kështu që ne jemi shumë më mirë [të trajnuar] edhe në të menduarit tonë politik mbi sigurinë e krahut verilindor të NATO-s. Sinqerisht, ne ndihemi më të sigurt,” tha Kaljulaid gjatë një vizite së fundmi në Norvegji, duke iu referuar 5,000 trupave të NATO -s të stacionuar në tre shtetet baltike.
“Vendet evropiane po e kuptojnë kolektivisht se, gjatë Luftës së Ftohtë, rreziku ynë rajonal ishte shqetësimi global i të gjithëve, që është Rusia, [tani] Rusia është ekonomi që duket gjithnjë e më e vogël, demografia e saj është keq – ne duhet të jemi këmbëngulës dhe të aftë të përballojmë vetë rreziqet tona rajonale. Sigurisht, gjithmonë të mbështetur nga lidhja jonë transatlantike,” pohoi Kaljulaid në një deklaratë në dhjetor të 2020-s për Financial Times, duke pranuar gjithashtu nevojën në rritje për të qenë të kujdesshëm ndaj Kinës.
Ndërsa Grybauskaitė, Grabar-Kitarović dhe Kaljulaid mendohet të jenë garueset kryesore për këtë punë, ato nuk janë emrat e vetëm që janë paraqitur si pasardhës të mundshëm të Jens Stoltenbergut, mandati i të cilit përfundon vitin e ardhshëm.
Ndër figurat e tjera që thuhet se kanë një shans të arsyeshëm për të marrë postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO -s janë ish-kryeministrja britanike Theresa May, ish-ministrja e jashtme italiane Federica Mogherini dhe presidenti rumun Klaus Iohannis.
©RrugaPress