Takimi i Kurtit me ambasadorët e QUINT-it, avokati Gashi: I ka informuar, që të mos befasohen kur të hapet Ura e Ibrit
Avokati Tomë Gashi ka folur për takimin që kryeministri i vendit, Albin Kurti, e pati sot me ambasadorët e QUINT-it, me të cilët ndër të tjera diskutoi për hapjen e Urës së Ibrit.
Gashi tha se Kurti vetëm i ka informuar për atë që sipas tij është ditur edhe më herët, se kjo urë shumë shpejt do të lirohet.
“Dhe besoj që të gjithë këta ambasadorë të shteteve mike, nuk munden as ta paramendojnë që në shtetin e tyre të ekzistojë një situatë e tillë çfarë fatkeqësisht është në Mitrovicë për më tepër se 25 vjet. Besoj që informatat që ai ua ka dhënë është se ata të mos befasohen dhe që të mos ketë deklarata të mëpastajshme se kjo nuk ka qenë në koordinim”.
“Dhe sikur të tjerët të vepronin si Albin Kurti, besoj se nuk do të arrinte ai t’i kryente këto detyra që të tjerët i kanë lënë krejtësisht pas dore dhe 25 vite pas çlirimit e pothuajse 17 vite pas shpalljes së pavarësisë, të bisedohet me shtetet më të fuqishme dhe më mike që i ka Kosova rreth një ure që ajo të hapet, besoj që është degradim i kohës”, tha Gashi në Klan Kosova.
Më tej, Gashi tha se mbyllja e Urës së Ibrit për një kohë kaq të gjatë ka qenë dëshirë e Serbisë, teksa tha se “kjo e ashtuquajtur bashkësi ndërkombëtare nuk ka ndërmarrë asgjë”.
“Besoj që me hapjen e kësaj ure, situata do të jetë shumë më normale në veri, pasi është diçka që edhe vet komuniteti serb i asaj ane po e kërkon. Përfundimisht dihet se këta janë të çliruar nga këto banda kriminale të Radoiçiqit. Serbët që janë atje duan jetë normale”, tha ai.
Rruga Press