Diplomati evropian: Nominimi i JD Vance lajm i tmerrshëm për Ukrainën, ai nuk është aleati ynë
Zgjedhja e Donald Trumpit për ta emëruar JD Vance si zëvendëspresident të tij nëse vetë fiton zgjedhjet në SHBA, ka ngritur frikën në Evropë se ai do të ndjekë politikën “Amerika së pari” që mund të kulmojë me vendimin e SHBA-së që Ukraina të pranojë në heshtje paqen me Vladimir Putinin.
“Është keq për ne, por për Ukrainën është lajm i tmerrshëm”, ka thënë një diplomat i lartë evropian në Washington. “Vance nuk është aleati ynë”.
Diplomatët e huaj i kanë quajtur shpesh politikat e Trumpit “kuti e zezë”, duke thënë se është e pamundur të dihet qartazi se çfarë do të bënte ai nëse vjen në pushtet.
“Vance ishte një prej kundërshtarëve kryesorë të pakos së ndihmës për Ukrainën dhe është shprehur indiferent për atë që ndodh në luftë”, ka thënë Michael McFaul, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare “Freeman Spogli”, dhe ish-ambasador në Rusi.
“Bideni dhe Harrisi e kanë promovuar demokracinë dhe janë ngritur kundër autokratëve. Trumpi dhe Vance nuk i kanë kushtuar vëmendje zhvillimit të demokracisë në botë dhe në vend të kësaj i kanë përqafuar autokratët”, ka shtuar ai.
Publikisht Vance e ka kritikuar pakon e ndihmës së SHBA-së për Ukrainën dhe ka bërë thirrje për negociata me Rusinë, edhe pse Ukraina ka thënë se nuk dëshiron të zhvillojë bisedime. Ai e ka akuzuar administratën Biden se po e “mikromenaxhon” luftën e Izraelit në Gaza dhe ka theksuar se Amerika duhet “t’ia mundësojë Izraelit ta përfundojë punën”, raportoi The Guardian.
Ai ka kërkuar që shtetet evropiane të paguajnë një pjesë më të madh të bruto produktit të brendshëm (GDP) në NATO, duke thënë: “SHBA-ja i ka ofruar një mburojë Evropës për shumë gjatë”.
“Mendoj se Vance është zgjedhur më së shumti për politikën e tij të jashtme”, ka thënë Emma Ashford, zyrtare në programin “Riinterpretimi i Strategjisë së Madhe të SHBA-së” në qendrën Stimson.
Ndërkohë, zgjedhja e Trumpit i ka tronditur disa republikanë.
“Vance do të sakrifikonte lirinë e aleatëve tanë në Ukrainë”, ka thënë ish-kongresistja Liz Cheney.
Në një intervistë në vitin 2022, Vance pati thënë: “Nuk më intereson në të vërtetë se çfarë ndodh me Ukrainën, në një mënyrë ose tjetrën”.
“Nuk mendoj se Vladimir Putini është kërcënim ekzistencial për Evropën, dhe në masën që është, tregon se Evropa duhet ta ndërmarrë një rol më agresiv për sigurinë e saj”, ka thënë Vende në konferencën e sigurisë në Munih në shkurt.
Vance pati theksuar edhe se beson që lufta në Ukrainë “do të përfundojë në një paqe të negociuar”, një pikëpamje që duket se u mbështet të martën nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, kur tha se Trumpi pas zgjedhjeve do të fillonte të vepronte si “ndërmjetës i paqes menjëherë”.
Rruga Press