Bota

Pas vizitës së Orbanit te Putini, Ukraina i thotë Hungarisë se propozimet për paqe s’mund të bazohen në narrativat ruse

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i tha homologut të vet hungarez, Peter Szijjarto, se asnjë nismë për t’i dhënë fund luftës së Moskës në Ukrainë nuk duhet të bazohet në narrativat ruse.

Kuleba i bëri këto komente gjatë një takimi me Szijjarto të mërkurën në Uashington.

Takimi i tyre në margjinat e samitit të NATO-s vjen pasi kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i vizitoi Kievin, Moskën dhe Pekinin, për bisedime të cilat ai i ka paraqitur si “mision i paqes”.

Lideri hungarez, i cili e kundërshton zëshëm furnizimin e Ukrainës me ndihma ushtarake, propozoi gjatë vizitës në Kiev që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ta shqyrtojë një armëpushim në luftën mbi dyvjeçare, për ta përshpejtuar procesin e paqes.

Lexo më shumë  BE-ja nis negociatat e anëtarësimit me Ukrainën e Moldavinë

Kjo u hodh poshtë menjëherë nga Ukraina.

Kuleba shkroi në rrjetin social X se gjatë bisedës e njoftoi Szijjarton për gjendjen në fushëbetejë dhe për përgatitjet për vazhdimin e një samiti për Ukrainën, që u mbajt në qershor në Zvicër.

“Në këtë kontekst, theksova se asnjë nismë për paqe nuk mund të bazohet në narrativat ruse”, tha ai.

Zyrtarët ukrainas e kanë hedhur poshtë idenë e armëpushimit, duke thënë se ai do të ndikonte në shtimin e sulmeve ruse më vonë. Ata thonë se nuk ka alternativë për kërkesën e Ukrainës për marrëveshje, që është tërheqja e trupave ruse nga territori i Ukrainës.

Duke iu përgjigjur iniciativës së Orbanit për armëpushim, presidenti Vladimir Putin përsëriti kërkesat e tij që Kievi të heqë dorë nga përpjekjet për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe t’i dorëzojë katër rajonet ukrainase të pushtuara pjesërisht nga Rusia.

Lexo më shumë  BE-ja nis negociatat e anëtarësimit me Ukrainën e Moldavinë

Kievi thotë se kjo do të ishte e barasvlershme me dorëzim.

Ukraina është duke punuar me aleatët e vet për ta përgatitur një plan më të gjerë për samitin e dytë, për të cilin shpreson se do të mbahet para përfundimit të këtij viti.

Përfaqësuesit e Rusisë, të cilët nuk u ftuan në samitin e Zvicrës, mund të ftohen për të marrë pjesë, sipas Kievit.

Rruga Press

YouTube player