Gjykata e Prishtinës e la të mbrohet në liri, arratiset Marko Roshiq, një nga katër të dënuarit për vrasjen e ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq
Marko Roshiq, një nga katër të dënuarit për vrasjen e ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq është arratisur nga drejtësia.
Këtë e ka konfirmuar zv.drejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Ditën kur është marrë vendimi neve na kanë sjellur vendimin për ekzekutimin e dënimit dikund pasdite. Po atë ditë ne kemi shkuar për ta arrestuar por ai s’ka qenë në shtëpi”, ka thënë Elshani.
I shpallur fajtor dhe i dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Roshiq ishte liruar nga paraburgimi dhe po mbrohej në liri.
Ndërkaq Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli të premten e 28 qershorit aktgjykimin për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, duke i dënuar me burgim katër persona, ndërsa e liroi një tjetër.
Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u dënuan në total me 22 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa Sillvana Arsoviq u lirua nga akuzat.
Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.
Nedelko Spasojeviq, ish-polic, u dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg për veprën penale pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë prej 4.500 euro për armëmbajtje pa leje.
Marko Roshiq, qytetar i Mitrovicës së Veriut, u dënua me dhjetë vjet burg për veprën penale të pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë në vlerë 10.000 euro.
Dragisha Markoviq, ish-polic, u dënua me katër vjet burgim për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Zharko Jovanoviq, ish-polic, u dënua me katër vjet burg për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për armëmbajtje pa leje, si dhe me gjobë prej 1.500 euro.
Sillvana Arsoviq, sekretare e Ivanoviqit, u shpall e pafajshëm për akuzën se ishte pjesë e një grupi kriminal.
Të dënuarve u tha se do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.
Ata nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit kur iu shqiptua dënimi.
Rruga Press