SHBA-ja i kërkon Serbisë t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për vdekjen e vëllezërve Bytyqi
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, ka kërkuar nga Serbia që ta përfundojë hetimin dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për vdekjen e vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi.
Në 25 vjetorin e vrasjes së tyre, Miller i ka kujtuar vëllezërit duke thënë se autorët e aktit brutal mbeten ende të lirë.
“25 vjet më parë, shtetasit amerikanë Ylli, Agroni dhe Mehmet Bytyqi u vranë në paraburgimin e policisë serbe. Sot, autorët e këtij akti brutal mbeten të lirë. Ne i bëjmë thirrje Serbisë sërish që të përfundojë hetimin e saj dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për vdekjen e tyre”, ka shkruar Miller në platformën “X”.
Sot janë bërë 25 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi. Ata ishin arrestuar nga shteti serb në fund të qershorit të vitit 1999, pasi kishin kaluar gabimisht kufirin teksa po përcillnin një familje rome nga Prizreni drejt Serbisë.
Gjatë paraburgimit ata u zhdukën e më pas trupat e tyre u gjetën më vonë në një bazë në Petrovo Selo në Serbinë Lindore.
Vëllezërit Bytyqi kanë qenë shtetas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
SHBA-ja ka akuzuar në vazhdimësi Serbinë se ata ishin ekzekutuar, qëlluar në kokë me duart e lidhura pas shpine.
Vëllezërit Bytyqi kishin lënë SHBA-në ku jetonin për të luftuar përkrah ushtarëve të tjerë të UÇK-së. Pas luftës ata u arrestuan në kufirin Kosovë – Serbi dhe pas disa ditësh zyrtarisht u liruan, por nga ai moment u zhdukën. 8 korriku 1999 kujtohet si dita e vrasjes së tyre.
Rruga Press