Zëvendësministri Ahmeti pritet në takim nga kryeministri i Fixhit, flasin për thellim të marrëdhënieve dypalëshe
Në kuadër të vizitës në Oqeani, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka filluar vizitën në Fixhi. Ai është pritur në takim nga kryeministri i Republikës së Fixhit, Sitiveni Rabuka.
Sipas njoftimit të kësaj ministrie, zëvendësministri Ahmeti dhe kryeministri Rabuka vlerësuan lart marrëdhëniet midis dy vendeve. Diskutimi i tyre u përqendrua rreth marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimit në rrafshin ndërkombëtar dhe zhvillimet e fundit botërore.
Gjatë takimit ata diskutuan edhe për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë për marrëveshjen në proces lidhur me konsultimet politike.
Lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar, zëvendësministri Ahmeti e falënderoi kryeministrin Rabuka për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Fixhi përgjatë proceseve integruese të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Ndërsa sa iu përket zhvillimeve të fundit botërore, u tha se është e rëndësishme të ruhen paqja dhe stabiliteti. Të dyja palët vlerësuan se ndajnë të njëjtat vlera në këtë drejtim.
Në fund, zëvendësministri Ahmeti e falënderoi kryeministrin Rabuka për mbështetjen dhe pritjen e bërë nga Republika e Fixhit.
Rruga Press