Gërvalla flet me kryeparlamentaren sllovene për bashkëpunimin në iniciativa paqeruajtëse
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të martën ka takuar kryetaren e Parlamentit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiq, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Kosovë.
“Zgjerimi i bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, mbështetja e Republikës së Kosovës në rrugën e integrimit euro-atlantik dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, siguria në rajon dhe bashkëpunimi në iniciativa rajonale që për qëllim kanë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, ishin temat në fokus të takimit mes Gërvalles dhe Zupaniçqin”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Gjatë këtij takimi, siç ka njoftuar MPJD-ja, Gërvalla e falënderoi Zupançiqin për mbështetjen që deputetët sllovenë i kanë dhënë Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, përkatësisht mbështetjen në arritjen e 82% të votës pro anëtarësimit nga Asambleja Parlamentare e KiE.
Ministrja Gërvalla në takim me kryeparlamentaren sllovene paraqiti të arriturat e Kosovës në shumë fusha dhe mundësitë e mëdha të investimeve në vendin tonë, duke theksuar potencialin e madh të të rinjve.
Mes të tjerash, Gërvalla dhe kryetarja Zupançiq riafirmuan përkushtimin e tyre për të thelluar më tej bashkëpunimin bilateral dhe për të eksploruar mundësi të reja që do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët e të dy vendeve.
Rruga Press