Kryeministri Kurti viziton ekspozitën “Experience” të artistit Shuk Orani, në Hamburg
Më 20 qershor 2024, Hamburgu u bë qendra e një ngjarjeje të pazakontë artistike dhe diplomatike, kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me një delegacion të lartë vizitoi atelienë e artistit të njohur Shuk Orani.
Delegacioni ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rasic, si dhe zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Daulina Osmani, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë të rëndësishëm.
Shuk Orani, artisti multimedial dhe koncepcionist i njohur, e priti kryeministrin Kurti me një prezantim të veprimtarisë së tij artistike në ekspozitën e tij të quajtur “Experience”.
Ekspozita e tij, e cila është e hapur në ATELIER SO në Hamburg dhe është mbështetur nga “Marktplatz der Manufakturen”, përfshin mbi 95 vepra artistike, si piktura, skulptura, vepra digjitale si dhe filma dokumentarë nga projektet e mëhershme të artistit. Mbi 30 vepra artistike janë të formatit të madh, mbi 2 metra.
Gjatë vizitës, artisti Orani ia prezantoi disa nga veprat e tij më të dalluara delegacionit të drejtuar nga kryeministri Kurti. Në një atmosferë të gjallë dhe të frytshme, u shkëmbyen mendime dhe u krijua një dialog interesant mes pjesëmarrësve. Ambientet e ekspozitës, të cilat janë kuratuar nga kuratorë ndërkombëtarë dhe nga vetë artisti Orani u bënë qendra e një bisede që shtrihej nga temat artistike deri te ato diplomatike dhe shoqërore.
Vizita e kryeministrit Kurti në atelienë e Shuk Oranit jo vetëm që theksoi rëndësinë e artit dhe kulturës në diplomaci, por gjithashtu shënoi një moment të veçantë për komunitetin artistik dhe kulturor në Hamburg dhe për diasporën kosovare në Gjermani.
Pjesa përfundimtare e vizitës u shoqërua me një diskutim të hapur në lidhje me rolin e artit në shoqëri dhe sfidat aktuale kulturore dhe artistike në të dy vendet. Dialogu i shkëmbyer u përjetua si një hap i rëndësishëm për të thelluar bashkëpunimin dhe mirëkuptimin midis Kosovës dhe Gjermanisë në fushën e kulturës dhe artit.
Nga nikoqirët dhe mbështetësit e artistit ishin të pranishëm edhe: Bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e artistit në disa projekte të veçanta, arkitektja Ardiana Orani, fotografi dhe asistenti i ekspozitave, Daniel Prekepalaj, përkrahësi i pandalshëm Dardan Hazeraj, mbështetësi në eventet e ateliesë, Dominik Prekepalaj.
Me këtë vizitë, Shuk Orani dhe ekspozita “Experience” u bënë jo vetëm një pikë referimi për artin bashkëkohor, por edhe një platformë e rëndësishme për dialogun kulturor dhe diplomatik mes dy vendeve, Gjermanisë dhe Kosovës.
Rruga Press