KryesoreLajme

Konjufca takon deputetët e CSU-së: Kosova e Gjermania kanë lidhje të veçantë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim delegacionin e deputetëve të CSU-së të Parlamentit të Bavarisë, të drejtuar nga Gerhard Hopp, ku është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha. E po ashtu ligjvënësit bavarezë shprehën mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, duke përfshirë Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Në njoftimin për media, thuhet se kryetari i Kuvendit tha se Kosova ka një lidhje të veçantë me Gjermaninë, që është forcuar me kontributin e jashtëzakonshëm gjerman përgjatë të gjitha fazave, përpara dhe pas pavarësisë së shtetit tonë.

Lexo më shumë  Qeveria iu ndan komunave 15 milionë euro për t’i mbuluar pagat në arsim

Kryetari Konjufca tha se Bavaria është nga rajonet që ka pritur emigrantët e parë shqiptarë nga Kosova në Gjermani, në vitet ‘60-të dhe për të gjitha këto Kosova ka mirënjohje të thellë, duke u siguruar që kjo lidhje të mbahet e palëkundur, si themel i bashkëpunimit.

Tutje në njoftim thuhet se bashkëbiseduesit u pajtuan që raportet mes Kosovës dhe rajonit të Bavarisë, si dhe Gjermanisë në përgjithësi, duhet të thellohen edhe më tej në një masë të gjerë fushash.

“Republika e Kosovës është veçanërisht e interesuar të përfitojë nga modeli i arsimimit profesional në rajonin e Bavarisë dhe shtetit të Gjermanisë në përgjithësi, përmes të cilit tregut të punës në Kosovë t’i ofrohet kuadër sa më profesional”, tha kryetari Konjufca.

Delegacioni gjerman u shpreh shumë i kënaqur me vizitën në Republikën e Kosovës, duke konstatuar të arriturat e shumta që Kosova i ka bërë si shtet.

YouTube player