Lajçaku, ish-negociatori për normalizimin që nxjerr nga goja një frazë kaq jonormale
Nga Donik Sallova
Ish negociatori për dialogun e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi paska nxjerrë nga goja një tjetër anomali, duke thënë se “hapja e pakoordinuar e Urës së Ibrit mund të çojë në incidente të sigurisë”!
A mund të na thotë Lajçaku se çfarë sigurie kishte prodhuar mbajtja e mbyllur e urës për më shumë se 20 vite në veri?
A nuk mjaftoi Banjska që Lajçaku të kuptonte se ura e mbyllur ishte një post-bllok në pararojë për aktivitetet kriminale dhe terroriste të grupeve paramilitare të financuara nga Serbia, që në emër të “sigurisë” së popullësisë lokale serbe të minonin çdo ditë rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës?
Si mund të ketë normalizim të raporteve Kosovë-Serbi nën kornizën e Marrëveshjes Bruksel-Ohër, ku palët barazohen dhe sovranizohen në raporte, e të thuhet një frazë kaq jonormale se “hapja e një ure po çojka në incidente”?
Kuptimi i parë i urës është lidhja e dy brigjeve.
Si mund të ketë integrim të plotë të serbëve veriorë me urë të mbyllur?!
Prej një negociatori të dialogut që synon të lehtësojë ndërtimin e urave të fqinjësisë së mirë mes dy shteteve, hapja e një ure që lidh dy brigje të një qyteti brenda një shteti të lirë, demokratik e multietnik, nuk do duhej kurrë të shihej si burim incidentesh.
Përkundrazi, mbajtja e saj mbyllur për qarkullim duhej denoncuar si akt segregimi, si nxitës i thellimit të ndarjes dhe pengues i lëvizjes së lirë!
Rruga Press