Rifillon puna në katër repartet e rinovuara të Gjinekologjisë në QKUK, investim në vlerë 5.5 milionë euro
Rreth 5.5 milionë euro janë investuar në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të Kosovës. Prej kësaj shume, mbi 3 milionë janë për fertilizimin e asistuar mjekësor, ndërsa 2.4 milionë euro për mjekësinë fetale.
Në përurimin e klinikës së rinovuar, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka theksuar se investimet e realizuara në këtë klinikë janë të mëdha. Duke shtuar se kjo klinikë ka ndryshuar rrënjësisht për të mirë krahasim me 10 vite më parë.
“Një investim të jashtëzakonshëm që ka transformuar rrënjësisht këtë klinikë. Bëhet fjalë për 5.5 milionë euro përafërsisht që janë investuar këtu, me ç’rast mbi 3 milionë euro janë për fertilizimin e asistuar mjekësor, ndërkaq rreth 2.4 milionë euro janë për mjekësinë fetale dhe për amniocentezë.
Dikur kanë qenë shtatë apo tetë gra në një dhomë, ndërkohë që tualeti ka qenë në një skaj të korridorit e përbashkët, tash në secilën dhomë janë vetëm dy krevate dhe në secilën dhomë ka nyje sanitare dhe banjo. Pastërtia është maksimale, cilësia e ajrit është e lartë, ndriçimi është i këndshëm dhe përkushtimi i mjekëve dhe i infermierëve është maksimal.
Para përafërsisht dhjetë vjetëve, unë e kam pasur gruan time që pati lindur vajzën tonë, mirëpo sot kur hyn këtu në spital dhe në Kliniken Gjinekologjike nuk mund të dallosh që je në Prishtinë nëse e krahasojmë me kohën para një dekade në vendin e njëjtë.
Tash gjysma e këtyre investimeve prej mbi 3 milionë euro tek fertilizimi janë për infrastrukturë e gjysma për pajisje dhe në të njëjtën kohë jemi me fat që nënat lehona dhe foshnjat e fëmijët në përgjithësi kanë klinikë më të mirë gjinekologjike si asnjëherë më parë pikërisht kur po marrin shtesat për fëmijë e lehona.
Mbi 55 mijë lehona marrin mbështetje financiare dhe mbi 400 mijë fëmijë në Republikën e Kosovës për herë të parë me qeverinë aktuale që paraqet edhe një dëshmi të kompletuar se nëna dhe fëmija, shëndeti i saj dhe fëmijës janë në fokus të qeverisë sonë”, tha Kurti.
Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka treguar më shumë detaje për këtë investim.
“I lumtur që sot po fillojnë katër repartet më të rëndësishme të rinovuara në Klinikën e Gjinekologjisë. Në këto reparte janë instaluar edhe njësitë e tjera të cilat do të ndihmojnë në sistemin informativ shëndetësor, do të ketë digjitalizim të radhëve, do të ketë procese të digjitalizuara në proces.
Dhe gjithë kjo përveç kushteve të jashtëzakonshme që tani e tutje do t’i kenë gratë në këtë klinikë, edhe punëtorët do ta kenë shumë më lehtë që të bëjnë punën e tyre dhe natyrisht sot edhe patëm falënderim nga ta, jo vetëm për shkak të kushteve por edhe për shkak të rrjedhjes së pacientëve dhe mënyrës më të dinjitetshme të trajtimit të grave në klinikë”, tha Vitia.
Rruga Press