Bota

Numër rekord i shteteve të NATO-s tejkalojnë objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes

23 nga 32 vendet anëtare të NATO-s po e tejkalojnë objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes të aleancës ushtarake perëndimore këtë vit, tha të hënën sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në kohën kur lufta e Rusisë dhe Ukrainës ka rritur rrezikun për zgjerimin e konfliktit edhe në Evropë.

Shifrat e shpenzimeve janë katërfishuar që nga viti 2021. Atë kohë vetëm gjashtë shtete e arrinin cakun.

Kjo ishte para nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të 2022.

“Evropianët po veprojnë më shumë për sigurinë kolektive sesa para disa viteve”, tha Stoltenberg në fjalimin e mbajtur me grupin kërkimor në Qendrën Wilson.

Pas fjalimit, Stoltenberg u takua me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në Shtëpinë e Bardhë. Aty Biden tha se aleanca është bërë “më e madhe, më e fortë dhe më e bashkuar se sa që ka qenë ndonjëherë.”

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

Biden u shpreh se do të dëshironte që Stoltenberg të kishte edhe një mandat tjetër  si sekretar i përgjithshëm i NATO-s. 

Stoltenberg ka qenë sekretar i përgjithshëm i NATO-s që nga viti 2014. Mandati aktual përfundon në tetor.

“Së bashku, ne kemi penguar agresionin e mëtejshëm rus në Evropë”, tha Biden. “Ne kemi forcuar krahun lindor të NATO-s, duke e bërë të qartë se ne do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s”.

Anëtarët e NATO-s kanë rënë dakord vitin e kaluar që për mbrojtjen të shpenzojnë të paktën 2% të prodhimit të tyre të brendshëm bruto. Rritja e shpenzimeve reflekton shqetësimet për luftën në Ukrainë.

Lexo më shumë  Kanadaja ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

Polonia, e cila ka shpenzuar më shumë se 4%, dhe Estonia kanë tejkaluar edhe Shtetet e Bashkuara sivjet vit në përqindjen e Bruto Produktit Vendor të ndarë për shpenzimet e mbrojtjes. Të dyja këto vende vendet kufizohen me Rusinë.

Disa shtete janë të shqetësuara për rizgjedhjen e mundshme të ish-presidentit Donald Trump, i cili ka thënë se nuk do të mbronte anëtarët e NATO-s të cilat nuk përmbushin objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes.

Vizita e Stoltenbergut hedh bazat për atë që pritet të jetë një samit kryesor i liderëve të NATO-s në Washington muajin e ardhshëm. Aleanca e mbrojtjes është zgjeruar që nga pushtimi rus i Ukrainës dy vjet më parë.

YouTube player