Kurti takon studentë nga Holanda, u flet për arritjet e Kosovës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me grupin e studentëve nga Amsterdam University College, të cilët janë pjesë të “Peace Lab field trip” dhe po qëndrojnë për një vizitë studimore në vendin tonë.
Edhe sivjet, studentët vijnë nga shumë vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia, Holanda, Islanda, Hungaria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Tajlanda.
Kryeministri i prezantoi studentët me arritjet e qeverisë gjatë tri viteve të fundit: në punësim – sidomos të grave, dhe të të rinjve, edhe përmes platformës Superpuna; në investimet kapitale më të mëdha në historinë e Republikës së Kosovës; në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit; në digjitalizimin; në investimet për bursa për studimet në STEM (shkencë, teknologji, inxhineri dhe matematikë) dhe programin e Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës, aty ku bashkohen studentët prej komuniteteve të ndryshëm; për tranzicionin drejt energjisë së ripërtërishme; për drejtësi e për shpërndarje të barabartë të zhvillimit ekonomik të vendit, ndër të tjera përmes shtesave për nënat lehona, arsimit universitar falas, përmes bursave, dhe me masa afirmative për komunitetet joshumicë.
Gjithashtu, kryeministri iu përgjigj pyetjeve dhe interesimit të studentëve për rritjen e investimeve në shëndetësi, për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën e jashtme të Kosovës.
Kryeministri Kurti i falënderoi studentët për bashkëbisedimin e sinqertë dhe të frytshëm, ku vlerësoi dëshirën e vullnetin e tyre për ta njohur më thellë e më mirë vendin tonë.
Rruga Press