Bota

Dhëndri i Trumpit mund të ndërtojë memorial në Serbi, Wesley Clark: Është naive, tradhti ndaj Amerikës

Ish-gjenerali amerikan, Wesley Clark, ka shprehur shqetësim të thellë dhe ka bërë akuza të rënda në lidhje me një investim të raportuar të Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, në Serbi.

Clark, i cili ka qenë Komandanti Suprem i Forcave të NATO-s në Evropë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, i ka cilësuar planet për ndërtimin e një memoriali në Serbi, në nderim të “viktimave të agresionit të NATO-s”, si një akt tradhtie ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një prononcim për CNN, Clark ka theksuar se ai nuk është kundër investimeve në Serbi në përgjithësi, por qëndron kategorikisht kundër idesë së një memoriali që do të përfaqësonte bombardimet e NATO-s si agresion.

Lexo më shumë  Le Monde: Franca dhe Britania nuk përjashtojnë drejtimin e një koalicioni në Ukrainë. Dërgimi i ushtarëve evropianë po diskutohet

Ai ka sqaruar se objektivi i bombarduar nga NATO, ish-ndërtesa e ushtrisë jugosllave, ishte në fakt bosh në momentin e sulmit dhe se veprimet e Aleancës ishin pjesë e një përpjekjeje të zgjatur diplomatike për të ndalur krizën humanitare që po zhvillohej në Kosovë.

Clark ka vënë në dukje rëndësinë e përpjekjeve të NATO-s për të ndalur dhunën e regjimit serb të Slobodan Millosheviq kundër shqiptarëve të Kosovës.

Ai ka përmendur masakrën e familjes Jashari si një nga shumë krimet e kryera nga forcat serbe, të cilat në fund e bënë të pamundur një zgjidhje paqësore dhe e shtynë NATO-n drejt përdorimit të forcës.

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

“Së pari, ajo ndërtesë, me sa dimë, ishte bosh kur e goditëm. Së dyti, nuk ishte agresion i NATO-s, por ishte kulmi i përpjekjeve diplomatike shumëvjeçare për të bindur diktatorin serb Slobodan Millosheviq që të mos vriste qytetarët e tij në pjesën e Serbisë të njohur si Kosovë,” ka deklaruar Clark.

Clark theksoi se ndërtimi i memorialit të propozuar do të ishte një tradhti ndaj idealëve dhe sakrificave të SHBA-së.

“Është naive. Do të ishte tradhti ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, politikës tonë dhe djemve e vajzave guximtarë që ishin të përfshirë në atë fushatë, përpjekjeve diplomatike,” ka shtuar Clark në intervistën për CNN.

Rruga Press

YouTube player