Shqipëria ndeshet me Azerbajxhanin në testin e fundit para Euro 2024 – formacioni i mundshëm
Kombëtarja e Shqipërisë luan ndeshjen e fundit miqësore para fillimit të Euro 2024, ku do të përballen me Azerbajxhanin mbrëmjen e sotme (e premte).
Shqipëria do të luajë miqësoren ndaj Azerbajxhanit me fillim nga ora 19:00 në stadiumin “Haladas SportKomplexum”, në Hungari.
Pas triumfit ndaj Lihtenshtejnin, kuqezinjtë synojnë sërish fitoren që në këtë rast do të shërbente më shumë për moral para nisjes së Kampionatit Evropian që do të zhvillohet në Gjermani.
Por, a pritet të bëjë ndryshime apo kujt do t’i besojë Sylvinho në këtë ndeshje?
Telegrafi mëson se trajneri brazilian pritet t’i bëjë së paku tri ndryshime, ndërsanë një pozicion ka mëdyshje, të cilat mund ta dërgojnë në katër ndryshime nga ndeshja e fundit me Lihteshtajnin.
Berat Gjimishiti pritet ta zë vendin e Arlind Ajetit, Ylber Ramadani në vend të Klaus Gjasulës dhe Taulant Seferi zëvendëson Arbër Hoxhën. Balotazhi i vetëm është ai në mes të Ivan Balliut dhe Elseid Hysajt.
Në portë, nga minuta e parë pritet të jetë përsëri Etrit Berisha, ndërsa në mbrojtje do të konfirmohen Ardian Ismajli dhe Mario Mitaj.
Në mesfushë, Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami ruajnë vendet, ndërsa në sulm përsëri do të jenë Jasir Asani dhe Armando Broja.
Formacioni i mundshëm i Shqipërisë: Berisha; Balliu, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj; Ramadani, Asllani; Asani, Bajrami, Seferi; Broja;
Rruga Press