KryesoreLajme

Qeveria u përgjigjet QUINT-it, BE-së e OSBE-së: Shpronësimet vlerësohen nga ligjshmëria jo nga etnia

Qeveria e Kosovës i është përgjigjur kritikës së vendeve të QUINT-it, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së për shpronësimin e tokave në veri të vendit. 

Në reagimin e ekzekutivit të publikuar në Facebook, lidhur me deklaratën e tyre të përbashkët se “Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”, thuhet se shpronësimet vlerësohen nga ligjshmëria dhe jo nga etnia.

Sipas Qeverisë, deklarata në fjalë konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente. 

“Shprehim shqetësimin tonë që deklarata i referohet shpronësimit në disa komuna të Kosovës si ‘komuna me shumicë serbe’. Komunat në Kosovë kanë emra të veçantë e përkatës dhe qeveria nuk u referohet si komuna me shumicë shqiptare, serbe, turke etj. pasi kjo nuk është në përputhje me karakterin multietnik të kushtetutës së Kosovës. Shpronësimet duhen vlerësuar për nga ligjshmëria, të drejtat e njeriut dhe interesi publik e jo për nga përkatësia etnike e qytetarëve”, thuhet në reagimin e Qeverisë. 

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Tutje bëhet e ditur se me propozim të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka filluar procesi i shpronësimit të pronës së paluajtshme në disa komuna të Republikës së Kosovës sipas Ligjit në fuqi për Shpronësimin, me qëllim të ndërtimit të projekteve infrastrukturore. 

“Qëllimi i këtillë, përcjell definimin e ‘qëllimit legjitim’ të definuar si të tillë nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg. Një gjë e këtillë është paraqitur edhe gjatë takimeve e diskutimeve me partnerët ndërkombëtarë, të cilët nga Qeveria e Kosovës kanë kërkuar respektim të procedurave të nisura gjyqësore, para marrjes së vendimit përfundimtar për shpronësim në Qeveri”, thuhet më tej në reagim. 

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Ambasadat e shteteve të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara (SHBA), Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca e Italia -Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë dhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë kanë kritikuar të enjten Qeverinë për vendimin për të finalizuar shpronësimin e mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se “Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”. “Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”, thuhet në reagimin e QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së.

Rruga Press

YouTube player