Shumica e Bundestagut përkrah zgjatjen e mandatit të KFOR-it
Shumica e partive që janë pjesë e Bundestagut [Parlamenti gjerman] janë në favor të zgjatjes së mandatit të ushtarëve gjermanë të KFOR-it. Koalicioni në pushtet (SPD, Të Gjelbërit dhe Liberalët) dhe partitë opozitare (CDU dhe CSU) mbështeten propozimin e qeverisë gjermane për të zgjatur mandatin e KFOR-it edhe për një vit të mërkurën në lexim të parë.
“Ne kemi nevojë për një KFOR të aftë për të vepruar, për të reduktuar potencialin e vazhdueshëm për konflikte dhe përshkallëzim në veri të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”, ka thënë përfaqësuesi i Demokristianëve në Bundestag, përgjegjës për politikën e mbrojtjes, Florian Hahn (CSU).
Përveç KFOR-it, Bundestagu votoi për zgjatjen e mandatit edhe për misionin EUFOR, që shërben në Bosnjë-Hercegovinë. Për EUFOR-in, votoi edhe Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Javën e ardhshme, Bundestagu pritet ta votojë në lexim të dytë zgjatjen e mandateve për të dyja misionet.
“Ballkani Perëndimor është fqinjësia jonë. Ruajtja e paqes në atë rajon është pra përgjegjësia jonë”, ka thënë sekretarja e Shtetit për Mbrojtjen, Siemtje Moeller (SPD).
Në propozimin e qeverisë thuhet se bazë për misionin e KFOR-it “është ende Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara” dhe thekson se “si Kosova, ashtu edhe Serbia e kanë bërë të qartë gjithmonë se duan që prania e KFOR-it të vazhdojë”.
Misioni i NATO-s në Kosovë, i cili po vazhdon prej 25 vjetësh, është angazhimi më i gjatë i Bundeswehrit (Ushtrisë gjermane) jashtë vendit.
Aktualisht, Gjermania është prezentë me 290 ushtarë. Numri u rrit pas tensioneve në maj të vitit të kaluar në veri të Kosovës. 210 ushtarë gjermanë i përkasin Komandës Rajonale Perëndimore, e cila është trajnuar për të kontrolluar trazirat.
Kabineti i Scholzit ka vendosur që kufiri i personelit që mund të dislokohet në Kosovë të jetë 400 ushtarë.
Në total, në Kosovë shërbejnë rreth 4800 ushtarë nga 28 vende anëtare të NATO-s.
Rruga Press