Plani i NATO-s në rast të luftës me Rusinë – shumë korridore që përfshijnë edhe Ballkanin
NATO po përgatit “korridore tokësore” të shumta për t’i dërguar trupat amerikane në vijat e para të frontit në rast të një lufte të madhe evropiane me Rusinë.
Ushtarët amerikanë do të zbarkonin në një prej pesë porteve dhe do të shkonin përmes rrugëve logjistike të planifikuara paraprakisht për t’u përballur me një sulm të mundshëm nga Moska, i kanë thënë zyrtarë medias britanike “The Telegraph”.
Kjo vjen mes paralajmërimeve nga liderët më të lartë të aleancës ushtarake se qeveritë perëndimore duhet të përgatiten për një konflikt me Rusinë në dy dekadat e ardhshme.
Rrugët logjistike janë bërë prioritet parësor që kur liderët e NATO-s u pajtuan në një samit në Lituani vitin e kaluar për t’i përgatitur 300,000 trupa që të viheshin në gjendje gatishmërie të lartë për të mbrojtur aleancën.
Sipas planeve, trupat amerikane zbarkojnë në portet holandeze e më pas në trena që i transportojnë përmes Gjermanisë deri në Poloni.
Në rast të pushtimit rus, trupat amerikane do të zbarkonin në portin e Rotterdamit para se të transportoheshin më tej drejt lindjes.
Por, planifikime po bëhen po ashtu për t’i zgjeruar rrugët për në porte të tjera për të siguruar që linja tokësore e komunikimeve të mos ndërpritet nga forcat e Moskës.
“Ukraina vuan shumë nga sulmet ruse me raketat me rreze të gjata në sistemet logjistike”, ka thënë gjenerallejtënant Alexander Sollfrank.
Nëse forcat e NATO-s që futen nga Holanda goditen nga Rusia ose shkatërrohen portet e Evropës veriore, aleanca do ta zhvendosë fokusin në portet në Itali, Greqi dhe Turqi.
Nga portet italiane, trupat amerikane do të lëviznin përmes Sllovenisë, Kroacisë dhe Hungarisë, që ndan kufirin me Ukrainën.
Plane të ngjashme ekzistojnë edhe për t’i transportuar trupat nga portet turke dhe greke në Bullgari dhe Rumani për të arritur krahun lindor të aleancës.
Po ashtu, po bëhen plane për t’i transportuar trupat përmes porteve në Ballkan, si dhe përmes Norvegjisë, Suedisë dhe Finlandës.
Në këto korridore, ushtritë kombëtare nuk do të ndalohen nga rregullat lokale dhe do të jenë të lirë për të transportuar ngarkesa pa kufizimet normale.
Më herët qeveria franceze ishte ankuar se tanket e saj ishin bllokuar në kufijtë e huaj nga proceset burokratike teksa po përpiqeshin të dilnin në Rumani si pjesë e skemës së re për t’u mbrojtur ndaj një pushtimi rus.
Në pesë vitet e fundit, Komanda e Përbashkët e Mbështetjes e NATO-s ka shqyrtuar mundësi për rrugë të ndryshme që mund të përdoren për t’i dërguar trupat në rast konflikti me Rusinë.
Portet në Evropën veriore, si Holanda, Gjermania dhe shtetet baltike, konsiderohen veçanërisht të ndjeshme ndaj sulmeve raketore ruse.
Por pas paralajmërimeve se NATO ka vetëm 5 për qind të mbrojtjes ajrore të nevojshme për ta mbuluar krahun lindor, gjenerallejtënant Sollfrank ka shprehur shqetësim për kapacitetet tokë-ajër për të mbrojtur qendrat kryesore logjistike.
“Duke e vëzhguar dhe vlerësuar luftën ruse në Ukrainë, ne kemi vërejtur se Rusia ka sulmuar bazat logjistike të Ukrainës. Kjo çon në përfundimin se është e qartë se bazat e mëdha logjistike, siç e dimë nga Afganistani dhe Iraku, do të sulmohen dhe shkatërrohen shumë herët në një situatë konflikti”, ka thënë ai.
Duke iu referuar mbrojtjes ajrore, gjenerallejtënant Sollfrank ka shprehur frikën se nuk është e mjaftueshme.
“Nuk mund ta imagjinoj një situatë kur nuk ke mbrojtje ajrore të mjaftueshme. Ky është shembull i mirë kur zbatohet parimi ushtarak: ‘Nëse dëshiron të jesh i fuqishëm gjithkund, nuk je i fuqishëm askund’”.
Rruga Press