Abetarja e Paplotësuar dhe e Panënshtruar
Nga Sami Karagjozi
Po thuhet që kinse sa më shumë kalojnë vitet sa më shumë e humbasim zotërimin e gërmave të shqipes. Ka diçka të vërtetë. Por më del se kësaj here nuk mund të fajësohen rrjetet sociale dhe përmbajtjet e tyre të thjeshtëzuara aq sa mund të vlerësohet menjëhershmëria pa të menduarin. Jo ! Si shoqëri në Kosovë (meqë si komb na mungon mirëkuptimi i pjesës tjetër) e kuptuam mirë tash e tutje nga ku: nga jashtë (dhe nga « brenda ») na vjen imponimi i thjeshtëzimit të abetares sonë deri te shkurtimi më i skajshëm me dy fjalë, jo, me dy gërma: nga A-ja deri në Z, nga « Asociacioni » deri te « Zajednica ».
Pra më lind dëshira për t’u rikujtuar shkurtpamësve pasurinë e abetares sonë, sikur duhet të jetë dhe është ashtu kudo në botë. Pas A-së së asociacionit vijojnë :
B si Bombat
C si Copëtimet
Ç si Çetnikët
D si Drejtësia
Dh si Dhimbjet
E si Egërsia
Ë si Ëndrrat e këqija
F si Flijimet
G si Gënjeshtrat
Gj si Gjaku
H si Hekurat
I si Ikjet
J si Jugoslavia
K si Kushtëzimet
L si Lufta
Ll si Llogaridhënia
M si Mohimet
N si Ndasitë
Nj si (jo) Njohjet
O si Obstruksionizimet
P si Përdhunimet
Q si (të) Qarët
R si Rezoluta 1244
RR si Rrenat
S si Spastrim
Sh si Shfarosje
T si Tmerret
Th si Therjet
U si Ujqit
V si Vrasje
X si Xingona
Xh si Xhelatët
Y si (i) Yni
Zajednica si Zaptim, si Zjarri…
Pastaj na vjen Zh-ja si të Zhdukurit, si Zhgroposjet, Zhvarrosjet, Zhgjëndrat…
2 / 2
Kështu që kemi të paktën 36 arsye që të mos dorëzohemi përballë thjeshtësimit të ushtruar. Kemi të paktën 36 fjalë kyçe kundër kufizimit të gjithë ç’kemi fituar pas valëve shekullore të qëndresave.
Kemi më shumë se 36 thirrje dhe gërshëtime gërmash për të mbrojtur abetaren tonë të sakrificës së parardhësve tanë.
Rruga Press