Lajme

Tjetër skandal në bashkinë e Tiranës/ Veliaj vijon të paguajë kompaninë 5D

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi zbuloi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV një tjetër skandal që përfshin bashkinë e Tiranës. Ai publikoi disa dokumente që tregojnë, sipas tij, pagesat që vijojnë për kompaninë “5D”, e cila kishte për pronarë ish-drejtorët e bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj dhe që u arrestuan 2 muaj më parë me urdhër të SPAK të akuzuar për shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe fshehje të pasurisë.

Administratorët në hije të saj, Taulant Tusha dhe Redi Molla janë në burg, por bashkia e Tiranës vijon t’i paguajë. Bëhet fjalë për projektin e ndërtimit të pedonales dhe pistës së biçikletave në Liqenin e Thatë që duhej të përfundonte 2 vjet më parë dhe që edhe pse nuk ka përfunduar bashkia vijon ta paguajë.

“Është në projekt i fituar nga 5D në 2021. Janë 587 mijë euro për një pedonale dhe pistë biçikletash dhe duhet të kishte mbaruar në maj 2022. Kompania “5D” është paguar mbi 50% të shumës totale, mbi 307 mijë euro.

Nga bashkia e Tiranës janë bërë dy pagesa më 28 maj 2024 për ndërtim pedonale, korsi biçiklete. Duke qenë se kjo kompania nuk është sekuestruar, pardje, ndërkohë që ne ishim në protestën e 9-të janë paguar mijëra euro për këtë projekt që nuk ekziston. Më 28 maj janë likuiduar dy fatura” – tha Belind Këlliçi që ka publikuar edhe dokumentin e mëposhtëm.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Për këtë investim të dështuar, publikoi pak ditë më parë një investigim edhe citizens.al që kujtonte se si në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për vitin 2021, kryetari i bashkisë Erjon Veliaj premtonte pedonale dhe korsi biçikletash në Liqenin e Thatë.

“I shtojmë pedonale dhe korsi biçikletash dhe për t’i përdorur si valvula shkarkimi, për të mos pasur këtë dyndje tek liqeni i Tiranës” – citohet Veliaj në atë mbledhje.

Por tre vite pas këtij premtimi që i kushtoi buxhetit të qytetarëve të Tiranës 587 mijë euro, nuk është ndërtuar as korsia e biçikletave dhe as lulishtja që ishte premtuar, sipas renderave të planit fillestar. Madje, nga vëzhgimi në terren edhe pedonalja nuk është e plotë dhe nuk përshkon të gjithë liqenin. Ndërkohë në zonën që ishte parashikuar që të ngrihej një park me pemë, aktualisht një pjesë e tij është zënë si parking privat.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tusha, 3 nga drejtorët bashkisë së Tiranës dhe që sipas SPAK kishin krijuar kompaninë 5D për të marrë tenderat janë tashmë në qeli. Kjo kompani, sipas SPAK ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në të paktën 7 procedura prokurimi.

SPAK ka zbuluar se drejtuesit e kompanisë shfrytëzonin emrin e tyre për të ndikuar tek zyrtarët e bashkisë në fitimin e tenderave. Madje disa herë ata kanë marrë kodet e sistemit duke hyrë vetë në të për të eliminuar kundërshtarët. Sipas të dhënave të Open Data Albania, shoqëria “5D Konstruksion”, ka përfituar të paktën 45 tendera publikë me vlerë rreth 30 milionë euro. 

Rruga Press

YouTube player