Gërvalla dhe Kusari-Lila takojnë ligjvënësit e miqësisë Kanada-Kosovë
Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila, takuan një grup ligjvënësish nga Parlamenti kanadez që i përkasin Grupit Parlamentar të Miqësisë Kanada-Kosovë. Gërvalla e Kusari-Lila që është edhe kryetare e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë- Kanada e falënderuan Kanadanë për mbështetje të vazhdueshme ndaj vendit tonë.
Në takim, sipas njoftimit të MPJD-së, u diskutua për miqësinë mes Kosovës dhe Kanadasë të bazuar në vlera të përbashkëta demokratike, për bashkëpunim dypalësh dhe për mbështetjen e Kanadasë në forumet shumëpalëshe dhe anëtarësimet në organizata ndërkombëtare.
Ligjvënësit kanadezë përbëhen nga kryetarja e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kanada-Kosovë, Anita Vandenbeld dhe anëtarët e këtij grupi, deputetët, Robert Oliphant, Yvan Baker, Kyle Seeback, Francesco Sorbara, Sébastien Lemire dhe senatorin Victor Oh.
Gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla dhe deputetja Kusari-Lila, pasi i falënderuan secilin prej tyre për mbështetjen e madhe ndaj Kosovës, promovimin e miqësisë mes dy shteteve tona dhe angazhimin e tyre në kuadër të Grupit Parlamentar të Miqësisë, i njoftoi ata rreth proceseve politike në Kosovë, progresin e arritur në shumë fusha, sigurinë në rajon, sulmet e Serbisë dhe proceset integruese nëpër të cilat po kalon Republika jonë.
Deputetët kanadezë, ndërkaq shprehën interesimin e tyre rreth situatës politike në Kosovë, potencialin për zhvillim ekonomik dhe shprehën vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të jetësuar projekte të përbashkëta në ekonomi, por edhe duke ndihmuar Kosovën në proceset integruese dhe nismat globale, njofton MPJD.
Në fund të takimit, të dy delegacionet, sipas të njëjtit njoftim, koordinuan hapat për veprimet dhe projektet e përbashkëta në kuadër të fuqizimit të miqësisë, bashkë edhe me mërgatën si urë lidhëse e fuqishme mes dy shteteve.
Rruga Press