Në njëvjetorin e trazirave në Zveçan, VV-ja: Republika nuk pezullohet
Lëvizja Vetëvendosje, në një reagim, me rastin e njëvjetorit të trazirave në Zveçan, ka vlerësuar se në veri nuk ka tjetër alternativë pos ruajtjes së sovranitetit e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Partia në pushtet ka vlerësuar se “republika nuk pezullohet”.
Sipas tyre insistimi i institucioneve të Kosovës ka bërë që në Zveçan, një vit pas, pamja të jetë krejt ndryshe.
“Sot u bë një vit kur grupe kriminale të organizuara dhe dirigjuara nga Serbia me qëllim moslejimin e ushtrimit të detyrës zyrtare të katër kryetarëve në veri sulmuan Policinë e Kosovës, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët e pranishëm. Insistimi i institucioneve të Republikës së Kosovës ka bërë që atje sot pamja të jetë krejt ndryshe sepse nuk ka tjetër alternativë pos zbatimit të kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe kësisoj ruajtjes së sovranitetit e integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Një vit pas, Komuna e Zveçanit funksionon, me kryetar, me stemën e flamurin e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Në reagim thuhet se në Zveçan para objektit të komunës me 29 maj janë plagosur “mbi 90 ushtarë të KFOR-it, prej tyre dhjetëra me pasoja të përhershme”.
Rruga Press