Sport

Cikalleshi i jep lamtumirën Kombëtares: Lutem Zotit që shokët që do vijojnë rrugëtimin në Euro2024 të kenë sukses

Sokol Cikalleshi ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale pasi mbeti jashtë listës së Europianit 2024. Ai i falënderon të gjithë për vitet që ka përfaqësuar kombëtaren, ndërsa i jep lamtumirën kombëtares në moshën 34-vjeçare.

“Fundi i një rrugëtimi. Rrugëtimet janë të bukura, me uljet e ngritjet e veta. Gjatë rrugëtimeve, nëse gjërat i ke bërë siç duhet, fundit është i lumtur, paçka se jo gjithmonë e zgjedhim vetë. Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkrueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit. Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë, është sa privilegj ashtu edhe përgjegjësi, e cila më ka bërë të përulur dhe mirënjohës ndaj çdokujt që besoi, ndaj çdokujt që më dha kurajo për të vazhduar, e padyshim në mënyrë të veçantë çdo kujt që brohoriti për mua.

Ashtu siç, çdo fillim e ka një fund, edhe rrugëtimit tim me ekipin kombëtar të futbollit i erdhi fundi! Ndihem i lumtur për çka bëra gjatë këtij rrugëtimi, ku dhashë pa kursimin më të vogël pikën e fundit të djersës dhe shpirtin për të bërë më të mirën e mundshme”.

Cikalleshi ka mbyllur këtë postim duke i uruar suksese Kombëtares në Euro 2024.

“Falenderoj Zotin për gjithçka më ka dhënë në jetë, familjen për mbështetjen, tifozët Kuq e Zi që meritojnë shumë më shumë sesa ne kemi dhënë në fushën e blertë. Lutem Zotit që shokët që do vijojnë rrugëtimin në Euro2024 të kenë sukses dhe të bëjnë një paraqitje dinjitoze”, shkruan Cikalleshi.

YouTube player