KryesoreLajme

Deputeti që kryeson delegacionin gjerman në KiE me kritika të forta: Këshilli i Evropës nuk duhet të diktohet prej Trumpit dhe Grenellit

Frank Schwabe, deputeti i Bundestagut gjerman dhe njëherazi, drejtuesi i delegacionit gjerman në Këshillin e Evropës ka reaguar në lidhje me mospërfshirjen e çështjes së anëtarësimit të Kosovës në agjendën e punimeve të Komitetit të Ministrave të Qeverive.

Në një deklarim të tij në platformën “X” ai u shpreh se mosfutja e Kosovës brenda kësaj agjende është një gabim i rëndë, pasi Kosova ka përmbushur obligimet ndaj procesit të anëtarësimit.

“Dështimi i qeverisë (gjermane) për të pranuar sot Kosovën në Këshillin e Evropës pas miratimit mbi 80 përqind në Asamblenë Parlamentare është një gabim i rëndë. Kosova i përmbush obligimet e përcaktuara nga Asambleja Parlamentare”,tha deputeti gjerman.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Ai foli me gjuhë të ashpër duke thënë se Këshilli i Evropës nuk duhet të diktohet nga Trumpi dhe Grenelli, duke aluduar se ky qëndrim i sotshëm është në përputhje me qasjen e padrejtë dhe arbitrare që mbante administrata Trump kundrejt Kosovës, qasje të cilën vetë Gjermania dhe shtete të tjerë evropianë e kishin refuzuar dhe e kishin konsideruar të papranueshme.

Më pas, ai tha se Komiteti i Ministrave i detyrohet t’i japë sqarim Asamblesë Parlamentare për këtë situatë, duke kërkuar po ashtu që të vendoset një afat i ri kohor për të përmbyllur anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Këshilli i Evropës nuk duhet të lejojë që të diktohet prej Donald Trumpit dhe Richard Grenellit. Komiteti i Ministrave të Qeverive i detyrohet Asamblesë Parlamentare një shpjegim, një propozim për një afat kohor dhe një rrugë përpara”, shkroi më tej Schwabe.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Frank Schwabe tha edhe se hapat e mëtejshëm rreth kësaj çështjeje do të diskutohen në Komitetin e Përhershëm në Vilnius, që do të zhvillojë takim javën e ardhshme.

“Ne do të diskutojmë hapat e mëtejshëm në Komitetin e Përhershëm në Vilnius javën e ardhshme. Faleminderit atyre që kanë ndërmarrë hapa të guximshëm dhe besojnë në fuqinë e Këshillit të Evropës. E ardhmja është me ata që janë të guximshëm.”, përfundoi deputeti i Bundestagut, Frank Schwabe.

Rruga Press

YouTube player