NATO: Rusët nuk kanë numra dhe aftësi për përparim strategjik në Ukrainë
Edhe pse Moska ka deklaruar se do të vazhdojë ofensivën e saj në Ukrainë, NATO dyshon se Rusia nuk ka burime për të bërë një përparim të madh.
Oficeri i lartë ushtarak i NATO-s ka thënë se forcat e armatosura të Rusisë janë të paafta për ndonjë përparim të madh.
“Rusët nuk kanë numrat e nevojshëm për të bërë një përparim strategjik”, tha Komandanti Suprem i Aleatëve të NATO-s në Evropë, Christopher Cavoli.
“Për më tepër, ata nuk kanë aftësinë për ta bërë këtë; për të vepruar në shkallën e nevojshme për të shfrytëzuar çdo përparim në avantazhin strategjik”, shtoi gjenerali amerikan.
Bëhet e ditur se komentet e tij vijnë ndërsa forcat ukrainase përfshihen në beteja të ashpra me trupat ruse për kontrollin e Vovchansk, një qytet kyç në rajonin verilindor të Ukrainës, Kharkiv.
Raportohet se Vovchank, i vendosur vetëm 5 kilometra nga kufiri rus, ka qenë pikë e nxehtë në luftimet e ditëve të fundit, shkruan euronews.
I pyetur nëse Rusia do të nis më herët ofensivën e saj të parashikuar, komandanti i lartë i NATO-s Cavoli tha: “Nuk mund të jemi kurrë të sigurt”.
Ai shtoi: “Ajo që ne nuk shohim është se një numër i madh rezervash po krijohen diku, të nevojshme për një ofensivë të tillë”.
Ndryshe, Rusia filloi një operacion në Kharkiv javën e kaluar, duke shënuar inkursionin e saj më të rëndësishëm kufitar që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022.
Lëvizja ka ngritur presion mbi forcat e armatosura të Ukrainës, të cilat janë duke pritur për furnizime ushtarake nga Perëndimi.
Edhe pse ukrainasit kanë treguar rezistencë, presidenti Volodymyr Zelensky e ka pranuar se situata “është e vështirë”.
Instituti për Studimin e Luftës me bazë në SHBA ka llogaritur se ushtria e Moskës ka përparuar jo më shumë se 8 kilometra nga kufiri i përbashkët në Kharkiv.
Rruga Press