Lajme

VENDIMI/Qeveria injoron ‘Kushtetuesen’! VKM për kalimin e truallit të Teatrit tek Bashkia e Tiranës, i ndalohet transferimi i pasurisë tek të tretët

Vendimi është marrë nga qeveria me një vendim të Këshillit të Ministrave ditën e djeshme, me firmë të zv.kryeministrit Erion Braçe, ndërsa propozimi është bërë nga Ministria e Kulturës. 

Trualli i Teatrit Kombëtar i kalon Bashkisë së Tiranës! Vendimi i paprecedentë është marrë nga qeveria me një vendim të Këshillit të Ministrave ditën e djeshme, me firmë të zv.kryeministrit Erion Braçe, ndërsa propozimi është bërë nga Ministria e Kulturës. Kabineti i kryeministrit Edi Rama ka zgjedhur që të marrë përsipër kostot për të çuar deri në fund projektin e nisur në qendër të kryeqytetit, duke injoruar haptazi vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese, institucioni më i lartë i drejtësisë në vend.

“Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë të tretëve në përdorim. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi,”-shkruhet në VKM, duke e bllokuar pronën e truallit vetëm për Bashkinë e Tiranës. Tjetërsimi i pronës, apo dhënia e saj në përdorim për palë të tjera duhet të bëhet me një tjetër VKM.

Vendimi i Këshillit të Ministrave vjen disa javë pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar duke rrëzuar kështu ligjin special dhe kalimin e Teatrit në pronësi të Bashkisë Tiranë. Në vendimin e saj, pasi Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, Kushtetuesja i dhënë të drejtë Presidentit Ilir Meta dhe ka rrëzuar Ligjin Special për dhënien me koncesion të hapësirës së truallit të Teatrit Kombëtar, si dhe ka shfuqizuar vendimin për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Por vendimi i Kushtetueses nuk është përfilluar nga qeveria, e cila edhe pse në kundërshtim, ia ka dhënë qeverisë lokale në dorëzim pronën. 

Lexo më shumë  “Mitrovica pa kryetar”, VV-ja në Mitrovicë shpallë në kërkim Hamzën

V E N D I M PËR KALIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË, TË PASURISË NR.1/241, TË LLOJIT “TRUALL”, NË ZONËN KADASTRALE 8150, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të shkronjës “d”, të nenit 3, dhe të neneve 5, 7, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin, në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, lloji “truall”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë, me sipërfaqe totale 5 522.7 (pesë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë shtatë) m2, me adresë: rruga “S. Toptani”, Tiranë, sipas kartelës së pasurisë dhe fragmentit të hartës kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë të tretëve në përdorim.

3. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, miratuar me vendimin nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.

4. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

RRUGA PRESS

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *