Bota

Hungaria do të votojë kundër rezolutës për Srebrenicën

Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto, ka thënë se do të votojnë kundër rezolutës për Srebrenicën, në një takim që ka pasur me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, në Budapest të mërkurën.

Draft-rezoluta e propozuar për gjenocidin në Srebrenicë do të jetë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 23 maj. Serbia po lufton që kjo rezolutë të mos kalojë.

Në fillim të fjalës për mediat, Szijjarto ka thënë se paqja në Ballkan është e rëndësishme për të gjithë Evropën.

“Paqja në Ballkan është çështje themelore për stabilitetin e të gjithë Evropës. Meqenëse Ballkani Perëndimor është në fqinjësi të afërt me ne, Hungaria, në prag të presidencës së saj të BE-së, synon të kontribuojë në ruajtjen e paqes në Ballkan. Ballkani Perëndimor ka historinë shumë të trazuar dhe të ndërlikuar. Aktualisht, situata është mjaft e ndërlikuar. Ne besojmë se mjeti për uljen e tensioneve dhe një të ardhme të begatë është anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Sipas ministrit hungarez, Brukseli po kontribuon në trazirat në Ballkanin Perëndimor.

“Jemi dëshmitarë se vendimet e BE-së çojnë jo aq në qetësimin e situatës, por edhe në rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor. Kjo shumë shpesh çon në rrezikun e krizave të reja në rajon. Bosnjë-Hercegovina e ka bërë seriozisht përparimin në rrugën e integrimit në BE. Është e rëndësishme që çdo entitet dhe të gjithë popujt në Bosnje-Hercegovinë të kontribuojnë që vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur. Marrëveshja për këtë çështje po prishet nga veprimi i njëanshëm i përfaqësuesit të lartë që ndryshoi vetë ligjin zgjedhor”, ka thënë Szijjarto.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

Siç thotë Szijjarto, rezoluta për Srebrenicën demoralizon popullin serb prandaj do të votojnë kundër.

“Situata stabile dhe mirëkuptimi në Bosnje mund të tronditet edhe me miratimin e rezolutës për Srebrenicën në OKB, që është vendim që do të çonte në demoralizimin e popullit serb. Mendoj se duhet të ndalet forcimi i tensioneve. Hungaria do të votojë kundër një rezolute që me apo pa dashje demonizon të gjithë popullin serb në lidhje me tragjedinë në Srebrenicë”, ka shtuar ai.

Prej kohësh, Hungaria, kryeministër i së cilës është Viktor Orbani, ka dalë jashtë linjës së qëndrimeve me Perëndimin.

Rruga Press

YouTube player