KryesoreOpinion/Aktualitet

Protestat e dëshpërimit

Nga: Slavoj Zhizhek

Këto janë kohë të çmendura. Çrregullimet biblike në natyrë, përfshirë reshjet e rrëmbyeshme të shiut që përsëriten në Dubai, apo ngordhjen masive të peshqve në rezervuarin e tejnxehur të Vietnamit, duket sikur e pasqyrojnë politikën e mjedisin tonë social të tejnxehur. 

Në të këtilla momente, me rëndësi është t’i mbajmë kokat ftohur dhe t’i analizojmë të gjitha fenomenet e çuditshme sa më afër, më objektivisht dhe më me pasion që është e mundur. Dhe të pakta fenomene të së sotmes janë më të çuditshme sesa protestat rreth bombardimeve e pushtimit izraelit në Gazë, në përgjigje ndaj sulmit terrorist të Hamasit, tetorin e shkuar. 

Duhet ta pranojmë retorikën që buron prej disa myslimanëve të politizuar, si ata që rishtas demonstruan në Hamburg të Gjermanisë duke bërtitur: “Kalifat ist die Lösung” (“Kalifati është zgjidhja”). Dhe duhet të pranojmë se, me gjithë praninë masive të hebrenjve mes protestuesve, ka të paktën pak antisemitë të përnjëmend midis tyre (ashtu siç ka edhe disa maniakë gjenocidialë në Izrael). Teksa shumë komentues e vunë në dukje paralelen mes demonstratave të sotme propalestineze dhe protestave studentore të 1968-s kundër luftës në Vietnam, filozofi italian, Franco Berardi, e spikat një dallim të rëndësishëm. Retorikisht, të paktën, protestuesit e 1968-s u identifikuan në mënyrë eksplicite me qëndrimin antiimperialist të Viet Congut dhe me një projekt më të gjerë pozitiv socialist, përderisa protestuesit e së sotmes shumë rrallë identifikohen me Hamasin e më shumë po “identifikohen me dëshpërimin”. Siç e thotë Berardi: “Dëshpërimi është tipari psikologjik, por edhe kulturor, që e shpjegon identifikimin e gjerë të të rinjve me palestinezët. Mendoj se shumica e studentëve sot, me apo pa vetëdije, presin përkeqësim të pakthyeshëm të kushteve të jetesës, ndryshim të pashmangshëm të klimës, periudhë të tejzgjatur të luftës dhe rrezik në rritje prej reshjeve bërthamore në konfliktet në zhvillim nëpër shumë pika të hartës gjeografike”.

Është vështirë që krejt situata të shpjegohet më mirë sesa kësisoj. Përgjigjja e turpshme represive e autoriteteve ndaj protestave e mbështet hipotezën e Berardit. Masat e ashpra të shtypjes nuk janë të motivuara prej ndonjë frike se protestat do t’i japin hov një lëvizjeje të re politike; përkundrazi, ato janë shprehje paniku – një refuzim i kotë për ta konfrontuar dëshpërimin që i përshkon shoqëritë tona. Shenjat e këtij paniku janë gjithandej, andaj më lejoni t’i ofroj vetëm dy shembuj.

Lexo më shumë  NATO kërkon rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë

E para, në fundmuajin e shkuar, 12 senatorë amerikanë i dërguan letër Gjykatës Ndërkombëtare Penale duke e kërcënuar me sanksione po qe se vendos të lëshojë fletarrestim për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Ani se kjo ishte një ndërmarrje kryekëput republikane, administrata e presidentit Joe Biden i bëri njashtu trysni GJNP-së që të mos i akuzojë zyrtarët izraelitë për krimet e luftës të kryera në Gaza. Kërcënimet e tilla sinjalizojnë asgjë më pak sesa rrënimin e vlerave të përbashkëta globale. Ndonëse ky ideal përherë ishte disi hipokrit (Shtetet e Bashkuara, për shembull, refuzuan t’i bashkohen GJNP-së), qeveritë të paktën e ruajtën atë në shpirt. Shembulli i dytë i kohëve të fundit e mbështet të njëjtin konstatim. Më 4 maj Franca (në përputhje me ndalimin për lëshim të vizës nga Gjermania) ia ndaloi hyrjen në vend Ghassan Abu-Sittas, kirurg britaniko-palestinez që ishte caktuar t’i ofronte dëshmi Senatit francez për ato që i kishte parë gjatë trajtimit të viktimave të luftës në Gaza. Me akte të tilla të vrazhda të censurës dhe margjinalizimit të asaj që po ndodh para syve tanë, më nuk është ekzagjerim të thuhet se demokracitë tona po shemben. 

Të gjithë e dinë se situata në Gaza është e papranueshme. Por i është kushtuar goxha shumë energji vonimit të atij lloji të intervenimi që kriza e kërkon. 

Njëra prej mënyrave që do ta thyente ngërçin është që t’u ofrohet mbështetje protestave studentore. Siç e tha senatori amerikan, Bernie Sanders, më 28 prill: “Ajo që po e bën Qeveria djathtiste, ekstremiste dhe raciste e Netanyahut është e pashembullt në historinë moderne të luftimit…. Pikërisht tani në Gaza jemi duke e parë mundësinë për uri në masë dhe vdekje nga uria. Kur i ngrini këto akuza, nuk është antisemitike. Është realitet”. 

Pas sulmeve të 7 tetorit, Izraeli i theksoi realitetet e papërpunuara të asaj që Hamasi bëri. Le të flasin pamjet vetë, thanë autoritetet izraelite. Vrasjet brutale dhe përdhunimet janë regjistruar nga kryerësit dhe ishin aty që të gjithë t’i shikonin. Nuk kishte nevojë për kontekstualizim kompleks. 

Tani a mund ta themi të njëjtën për vuajtjet palestineze në Gaza? Le të flasin pamjet vetë. Shiheni vdekjen nga uria të njerëzve të mbledhur në tenda të improvizuara, të fëmijëve që vdesin ngadalë teksa sulmet izraelite me raketa e dronë vazhdojnë t’i tkurrin godinat në gërmadha, pastaj në rrënoja e në fund në pluhur. 

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

M’u kujtua ajo që Michael Ignatieffi (asokohe gazetar) shkroi më 2003 për okupimin amerikan të Irakut: “Për mua çështje kyç është se cili do të jetë rezultati më i mirë për popullin irakian – çfarë do t’i përmirësojë të drejtat e njeriut për 26 milionë irakianët? Ajo që përherë më ka çmendur në lidhje me kundërshtimin (për luftën) është se ajo kurrë nuk pati të bënte me Irakun. Ishte një referendum për forcën amerikane”. E njëjta nuk vlen për protestat e sotme kundër luftës. Larg të qenët referendum për palestinezët, për Izraelin apo për forcën amerikane, ato në radhë të parë u nxitën nga lutja e dëshpëruar thjesht për t’i ndalur vrasjet e palestinezëve në Gaza. 

Andaj, çfarë duhet të bëjë administrata Biden (përveç zëvendësimit të nënpresidentes, Kamala Harris, me Taylor Swiftin në garën e sivjetme)? Sa për fillim, SHBA-ja mund t’i bashkohet iniciativës globale për ta njohur Palestinën shtet. Larg të qenët pengesë për paqen në Lindjen e Mesme, shtetësia palestineze është një parakusht për çfarëdo negociate serioze mes dy palëve. Ndryshe, refuzimi (apo shtyrja e pafundme) i njohjes do ta mbështeste pashmangshëm konstatimin fanatik se lufta është opsioni i vetëm. 

Sado e çuditshme që mund të tingëllojë, ne po bëhemi dëshmitarë të një prej anëve më negative të humbjes së fuqisë hegjemoniste të Amerikës (siç ishte njëlloj rasti me tërheqjen e SHBA-së nga Siria veriore dhe më pas edhe nga Afganistani). Në mënyrën ideale, SHBA-ja thjesht do ta pushtonte Gazën nga deti, do t’i rikthente paqen dhe rendin, dhe do t’i ofronte popullsisë ndihmë humanitare. Por mos llogarisni në këtë. Gjithmonë mund të mbështetemi te SHBA-ja për të humbur mundësinë që ta angazhojë fuqinë e saj të mbetur perandorake për një kauzë të mirë.

(Slavoj Žižek, profesor i filozofisë në European Graduate School, është drejtor ndërkombëtar i Institutit Birkbeck për shkenca humane pranë Universitetit të Londrës dhe autor i librit: “Christian Atheism: How to Be a Real Materialist”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”,)

Rruga Press

YouTube player