KryesoreLajme

Ahmeti: Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën

Zëvendësministri i Ministrisë së Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se disa shtete po e përdorin Këshillin e Evropës si levë presioni mbi Kosovën që ta dërgojë draftstatutin evropian për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.

Anëtarësimi i Kosovës s’është futur ende në rend dite në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 16 dhe 17 maj. Gjermania e Franca kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës ta dërgojë draftstatutin evropian në Kushtetuese për t’iu garantuar anëtarësimi në Këshill të Evropës. Por kryeministri Albin Kurti nuk është shprehur i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë.

Ahmeti ka bërë të ditur se as sot nuk u adresua rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në lidhje me aplikimin e Kosovës, edhe pse “instancat e Këshillit të Evropës kanë konfirmuar që Kosova e meriton të bëhet anëtare e kësaj organizate”.

“Në takimin e sotëm të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i mbajtur në nivel të Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, nuk u adresua rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në lidhje me aplikimin e Kosovës. Megjithëse ka mbështetje për vendosjen e anëtarësimit të Kosovës në agjendën e Ministerialit të 17 majit, qendrimi i disa vendeve që Kosova duhet ta pranojë draft statutin e Miroslav Lajcak për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën, bëri që pika e Kosovës të mos vendoset sot në agjendën e ministrave të jashtëm. Në dy vitet e fundit shqyrtimet e detajuara të disa instancave të Këshillit të Evropës kanë konfirmuar që Kosova duhet të behët anëtare e kësaj organizate. Në këtë periudhë të shkurtë, procesi i anëtarësimit shënoi përparim të jashtëzakonshëm”, ka shkruar Ahmeti, i cili ka përmendur disa nga këto përparime.

Lexo më shumë  Ushtarët britanikë do të mund t’u kundërpërgjigjen forcave ruse nëse sulmohen gjatë misionit në Ukrainë

Zëvendësministri ka thënë se shtyrja eventuale e votimit për Kosovën ndodh për shkak se “janë ngatërruar dy procese të pavarura”.

“Pra, tashmë nuk mbetet asnjë hap tjetër përveç votimit përfundimtar nga ministrat e jashtëm, sipas Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.   Por, ka gjasë që ky votim të shtyhet. Shtyerja eventuale vjen si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, me ç’rast Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft Statutin e Lajcakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese, në shpërputhje gjithashtu edhe me procesin e dialogut në Bruksel”, ka shkruar tutje ai.

Sipas tij, kushti për Asociacionin nuk përkon me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës. Shtyrja e votimit, siç thotë Ahmeti, do t’u kufizojë mundësitë qytetarëve të Kosovës, përfshirë minoritetin serb, të përdorin mekanizmat e këtij Këshilli. Veprime të tilla, Ahmeti thotë se inkurajojnë liderët hegjemonë në rajon.

“Ky kusht i ri, i vonshëm e jo zyrtar, nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Nëse ka një gjë nga Marrëveshja Bazike e Brukselit që do të mund të lidhej me anëtarësimin në Këshillin e Evropës është neni 4 i saj, me të cilin Serbia është pajtuar që të mos e pengojë Kosovën në anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Siç dihet, ky nen është shkelur disa herë nga Serbia dhe kjo shkelje ka mbetur çdo herë e pa adresuar nga Bashkimi Evropian. Shtyerja eventuale do të kufizojë mundësitë e qytetarëve, përfshirë minoritetin serb, të përdorin mekanizmat e Këshillit të Evropës, përfshirë Gjykatën e Strasburgut për t’i adresuar të drejtat e tyre. Për më tepër, shtyerja do ta dërgojë një sinjal shumë shqetësues për vendet e rajonit. Porosia se përputhja me vlerat e parimet dhe plotësimi i standardeve, kritereve, kushteve e parakushteve nuk janë faktorët e duhur apo të mjaftueshëm për progres në integrim në institucionet evropiane, por përmbi këto vlerësohet potenciali destabilizues, do t’i inkurajojë liderët hegjemon në rajonin tonë përsëri, siç u inkurajuan nga pandëshkueshmëria dhe përkdhelja vitin e kaluar.  Sidoqoftë, progresi në dy vitet e fundit në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës është i pakthyeshëm. Kosova tashmë ka të gjitha vlerësimet e nevojshme dhe mëse pozitive nga të gjitha instancat relevante të kësaj organizate. Ajo pashmangshëm do të jetë anëtare e plotë, e barabartë mes të gjitha anëtareve të tjera, si rezultat i meritës së saj”, ka shkruar Ahmeti.

Lexo më shumë  Eurodeputetja italiane Ilaria Salis: Të rinjtë kanë dalë në rrugë duke kërkuar një Shqipëri të lirë pa korrupsionm, por qeveria në vend që ti dëgjojë ka zgjedhur represionin
YouTube player