Ndihma amerikane drejt Ukrainës, Blinken në Kiev: Armët do bëjnë diferencën
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka nisur një vizitë surprizë në Kiev, ku i ka premtuar presidentit Zelensky se ndihma ushtarake amerikane është rrugës për në Ukrainë.
Gjatë takimit kokë më kokë, shefi i diplomacisë amerikane ka dhënë garancinë e tij se armatimet në fjalë “do të bëjnë diferencën” në përballjen me agresorët rusë në fushën e betejës.
Në stokun e armatimeve që pritet të mbërrijnë ka sisteme të mbrojtjes ajrore, që lokalizojnë raketat në ajër; artileri dhe raketa me rreze të gjatë veprimi të telekomanduara.
Vizita e Blinken vjen në një moment kur vendi po përpiqet të zmbrapsë një inkursion madhor rus në rrethinat e qytetit të dytë më të madh të vendit, Kharkivit.
Ofensiva ndërkufitare, që po zhvillohet në rajonin me të njëjtin emër, është ndër agresionet më të mëdha ruse që nga fillimi i luftës në shkurt të 2022-shit.
Ndihma amerikane u konkretizua pas një ngërçi politik afatgjatë në Shtetet e Bashkuara, me presidentin Joe Biden që e aprovoi atë në prill, pas një marrëveshjeje me republikanët.
Ndihma ka një vlerë prej 61 miliardë dollarë, me 8 miliardë që do të përdoren menjëherë për raketa dhe municione.
Në shkurt të 2024-s, edhe Bashkimi Evropian ra dakord për një paketë ndihmash prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, pasi Hungaria rreshti së bllokuari marrëveshjen.
Sa i takon sasisë së ndihmës që tashmë është dhënë për Ukrainën nga shkurti 2022 deri në shkurt 2024, Shtetet e Bashkuara janë ato që kanë dhënë më shumë, konkretisht 46.2 miliardë dollarë në pajisje dhe armatime, sipas institutit kërkimor gjerman “Kiel”.
Ndërsa Gjermania ka dhënë ndihma ushtarake me vlerë 10 miliardë, Britania 5 miliardë, Danimarka 5 miliardë dhe Holanda 4 miliardë.
Rruga Press