BotaKryesore

Xi Jinping në Beograd, me synim për ta shtrirë ndikimin e Kinës në Evropë

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, mbërriti në Beograd mbrëmjen e 7 majit për një vizitë dyditore në Serbi, në përpjekje për ta rritur ndikimin e Pekinit në çështjet politike dhe ekonomike të Evropës.

Xi udhëtoi nga Franca, ku ishte takuar paraprakisht me presidentin Emmanuel Macron, i cili i bëri trysni atij t’i lehtësojë kufizimet e Kinës për tregtinë dhe ta përdorë ndikimin e tij ndaj Rusisë për ndaljen e luftës së Kremlinit në Ukrainë.

Lideri kinez ka shumë mundësi të përballet me më pak presion në Beograd nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili vazhdimisht ka kërkuar t’i ruajë marrëdhëniet e mira me Kinën dhe Rusinë, pavarësisht se thotë se synon ta anëtarësojë vendin e vet në Bashkim Evropian.

Lexo më shumë  Nuk munguan as goditjet – detaje dhe pamje rreth përplasjes fizike mes deputetëve në Parlamentin e Serbisë

Xi u mirëprit në aeroport nga Vuçiq, kryeministri Millosh Vuçeviq, kryetarja e Parlamentit, Ana Bërnabiq, ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq, ish-presidenti Tomisllav Nikolliq, si dhe ambasadorja serbe në Kinë, Maja Stefanoviq.

Pas qëndrimit në Serbi, Xi do të udhëtojë në Budapest, ku kryeministri hungarez, Viktor Orban, pritet t’i ofrojë mikpritje në ngrohtë. Edhe Orbani ka mbajtur marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën, edhe pse Hungaria është anëtare e BE-së.

Në vizitën e tij të dytë në Serbi në tetë vjetët e fundit, Xi me siguri do të bisedojë për një sërë temash me Vuçiqin – nga politika e jashtme tek ekonomia, teknologjia dhe kultura. Politikat nacionaliste dhe miqësore të Vuçiqit ndaj Rusisë e kanë alarmuar Perëndimin.

Në Pekin, vizita në Serbi u përshkrua si forcim shtesë i “miqësisë së çeliktë” ndërmjet dy vendeve, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e quajti presidentin Xi “mik të madh” të Serbisë.

Lexo më shumë  Murati për subvencionimin e tarifave të energjisë: Plotësoni numërin e saktë të pjestarëve të familjes

Mediat serbe raportuan për masa të mëdha të sigurisë gjatë vizitës së presidentit kinez, Xi. Rreth 3.400 pjesëtarë të sigurisë janë angazhuar për t’u kujdesur për sigurinë e delegacionit të presidentit Xi, i cili përbëhet nga 400 anëtarë.

Para vizitës së presidentit kinez, Beogradi u stolis me flamuj të Serbisë dhe të Kinës, si dhe me mesazhe mirëseardhëse në gjuhën serbe dhe atë kineze përgjatë rrugës nga aeroporti drejt qendrës së qytetit.

Avioni i presidentit kinez u shoqërua nga avionët luftarakë MiG-29 pasi mbërriti në hapësirën ajrore të Serbisë. /REL/

YouTube player